Qeveria e Kosovës i ka quajtur si të pabaza kërkesat e disa prej partive dhe politikanëve kosovarë, që ditëve të fundit kanë insistuar që ajo të ofrojë garanci për lirimin me kusht të të akuzuarve nga Gjykata Speciale.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se kjo nuk mund të bëhet as nga Qeveria e as nga kryeministri, pasi Gjykata Speciale ligjërisht është e Kosovës, por me seli në Hagë.
Më herët janë tërhequr paralele për lirimet me kusht të ish-udhëheqësve të UÇK-së, të akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë dhe, e themeluar nga Kombet e Bashkuara. Ata ishin liruar, pasi ishte ofruar garanci nga Kosova, përkatësisht misionet ndërkombëtare në Kosovë, por në rastin e Speciales, sipas Kryeziut, Kosova është vetë themeluese e kësaj gjykate.
“Gjyqtari Kai Ambos, në opinionin e tij të ndarë nga vendimi për refuzimin e kërkesës për lirim me kusht, eksploron mundësinë që në të ardhmen ‘shtete të treta’ të mund të shërbejnë si garantues të mundshëm për ndonjë të akuzuar. Por Kosova nuk është ‘shtet i tretë’, sepse Gjykata është ligjërisht e Kosovës. Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë (Kosova) e as nga kryeministri i shtetit amë (Qeveria e Republikës së Kosovës), nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion. Pra, Kosova nuk mund të shërbejë si garantues, ashtu siç po raportohet. Krahasimet e Gjykatës Speciale me gjykata ndërkombëtare sikurse me Tribunalin e Hagës janë të paqëndrueshme, si në raport me vetë gjykatat – njëra vendore e tjetra ndërkombëtare – ashtu edhe në raport me personat/institucionet që kanë pasur mundësi të ofrojnë garanci”, ka thënë Kryeziu për KOHËN.
Në Gjykatën Speciale, të themeluar nga Kuvendi i Kosovës, po gjykohen krerët e UÇK-së me pretendimin se kanë kryer krime lufte.