Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje në mënyrë elektronike, në të cilën ka miratuar dy vendime.
“Vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në vlerë prej 31,530.00 € (tridhjetenjë mijë e pesëqindetridhjetë euro) me qëllim të përkrahjes së aktiviteteve avokuese për çështjen e popullit shqiptar të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, para institucioneve të Bashkimit Evropian, dhe kompensimit të mjeteve të zvogëluara nga Qeveria e Serbisë përmes ndarjes buxhetore për Këshillin Kombëtar Shqiptar”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Qeveria gjithashtu njofton shkurt se ka marrë vendimin për anulimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 14/186 të datës 24 janar 2024, pa saktësuar më shumë.
Por, mësohet se është anuluar dhënia në shfrytëzim Ndërmarrjes Publike ‘Trepça’ Sh.A. të pronës së ngastrës kadastrale me Nr. 3129 Kostin Potok, Majdevo – Leposaviq, e cila menaxhohet nga Agjencia Pyjore e Kosovës.
Vendimi i datës 24 janar thoshte: “1. Aprovohet kërkesa me Nr. prot. 439 e datës 22 janar 2024 e Ndërmarrjes Publike ‘Trepça’ Sh.A. për marrje në shfrytëzim të pronës së ngastrës kadastrale me Nr. 3129 Kostin Potok, Majdevo – Leposaviq, pronar Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila menaxhohet nga Agjencia Pyjore e Kosovës”.
“2. Ngastra kadastrale me Nr. 3129 i jepet në shfrytëzim Ndërmarrjes Publike “Trepça” Sh. A. sipas pikës 1. të këtij Vendimi”.
“3. Obligohet Agjencia Pyjore e Kosovës dhe N. P. “Trepça” Sh. A, për zbatimin e këtij Vendimi në përputhje me legjislacionin në fuqi”.