Qeveria mban mbledhje elektronike – vendos për masat anti-Covid, por nuk tregon cilat janë ato

Prishtinë | 01 Mar 2022 | 19:00 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën janë miratuar katër vendime.

Së pari, është miratuar vendimi për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Në bazë të rekomandimeve të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ministritë e linjës, palët e inte­re­sit dhe ekspertët përkatës, në këtë mbledhje u vendos për masat kundër COVID-19. Vendimi hyn në fuqi nga dita e sotme, data 1 mars 2022.

Në njoftimin për shtyp nuk jepen detaje se çfarë masash janë marrë.

Por, në medie është raportuar se nga sonte do të hiqet ora policore. Po ashtu është paralajmëruar se do të lejohen të hapen klubet e natës, si dhe mbajtja e dasmave me kapacitet 50 për qind dhe me certifikata të vaksinimit.

Me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës në Republikën e Kosovës, Qeveria mori vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale/marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë.

Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 150.000 € (njëqind e pesëdhjetë mijë euro) në emër të pranimit në Kosovë të 20 (njëzet) gazetarëve nga Ukraina.
Këto mjete do të përdoren me qëllim të mbulimit të shpenzimeve që lidhen me qëndrimin e këtyre gazetarëve në Kosovë për një periudhë deri në 6 (gjashtë) muaj. Identifikimi dhe përzgjedhja e gazetarëve do të bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke u dhënë përparësi gazetareve gra.

Po ashtu, u miratua vendimi për autorizimin e procedurave të veçanta për periudhën 3 (tre) vjeçare 2022-2024, për administrimin e procedurave për blerjen e veprave të artit nga artistët vendorë, duke përfshirë edhe veprat e artistëve që nuk jetojnë më.

Të ngjashme