Para seancës që do të mbahet të enjten, është kriza energjetike ajo që do ta mbledhë nesër Qeverinë e Kosovës në detyrë.
Kolapsi i mundshëm energjetik që rrezikon Kosovën, ka bërë që ekzekutivi i vendit të mblidhet për ta gjetur urgjentisht zgjidhjen për këtë çështje.
Mbledhja e së mërkurës e Qeverisë në detyrë, pritet t`i hapë rrugë zgjidhjes pronësore për zhvendosjen e banorëve të fshatit Shipitullë të Obiliqit, në mënyrë që vendi t`i shmanget krizës energjetike. Të martën, kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, takoi ministrat në detyrë Blerand Stavileci e Ferat Shala si dhe drejtorin e KEK-ut, Arben Gjukaj, për angazhim emergjent lidhur me situatën.
Situata është ndërlikuar pasi kanë dështuar përpjekjet e KEK-ut që zhvendosja të bëhet me dialog si dhe me ligj të shpronësimit. Për të gjetur zgjidhje, Komuna e Obiliqit ka njoftuar Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Por MPB-ja konfirmoi për RTK-në se nuk mund të përfshihet në situatën e krijuar në KEK.
“Përgjegjës për të vepruar në këtë situatë është KEK-u, Kuvendi i Komunës së Obiliqit dhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Për gjendjen aktuale Agjencia për Menaxhim të Emergjencave nuk mundet të marrë kurrfarë masa, përveç asaj që është gjithmonë në gjendje gatishmërie për të menaxhuar dhe koordinuar situatat emergjente të krijuara nga natyra si dhe faktori njeri”, njofton MPB.
Nga ana tjetër, Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës ka paralajmëruar një protestë për të mërkurën.
Rafet Osmani, Kryetar i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës, tha se menaxhmenti duhet të mbajë përgjegjësi për punëtorët për shkak se momentalisht i kemi 4 800 punëtorë dhe u rrezikohen vendet e punës pa fajin e tyre. “Pastaj dëm të madh do të ketë ekonomia e Kosovës, bizneset kosovare, investitorët që kanë menduar të investojnë në Kosovë do të tërhiqen”.
E nëse nuk bëjnë punë protestat, Osmani thotë se do të hyjnë në grevë.
Zona prej 52 hektarësh është shpallur Zonë me interes të veçantë nga Qeveria e Kosovës më 3 nëntor të vitit 2004, si dhe vendimit tjetër, të 13 marsit të vitit 2009, duke obliguar Ministrinë e Planifikimit dhe Komunën e Obiliqit, që të mos lejojnë ndërtime të reja në fshatin Hade dhe Shipitullë, por një gjë e tillë duket se ka dështuar.