Objekti i Qeverisë së Kosovës është mbuluar me një fjongo rozë, si shenjë për përmbylljen e aktiviteteve për muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Albin Kurti tha se do të angazhohen edhe më tutje në ndërgjegjësimin për parandalimin e kësaj sëmundje, si dhe në ngritjen e kapaciteteve mjekësore.
“Sot, në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, kemi vendosur një fjongo shumë të gjatë rozë, meqenëse fjongoja rozë dhe ngjyra rozë, janë bërë simbol botëror i luftës së përbashkët kundër kancerit të gjirit. Muaji tetor u shpall muaj i luftës kundër kancerit të gjirit, për parandalim përmes zbulimit sa më të hershëm dhe përmes trajtimit sa më të mirë shëndetësor për shërim. Shumë gra e vajza në vendin tonë janë goditur nga kjo sëmundje, e cila kollaj bëhet edhe fatale”.
“Andaj ne kemi punuar në ndërgjegjësimin, në vetëdijesimin e gjithë shoqërisë dhe sidomos në sistemin tonë shëndetësor, për një lidhje të ngushtë me gratë dhe vajzat, në mënyrë që edhe sa më herët ta zbulojmë këtë sëmundje tinëzare, por gjithashtu edhe t’i inkurajojmë të gjitha të sëmurat, që bashkërisht t’ia dalim”.
Kurti me këtë rast shprehu mirënjohje të thellë për të gjitha ato gra e vajza të guximshme, të cilat u përballën me këtë sëmundje të rëndë, e me ç ‘rast shumë prej tyre nuk mbijetuan.
“Mirëpo kemi edhe vajza e gra të cilat kanë mbijetuar dhe sot për fat të mirë e për shkak të luftës së tyre të paepur dhe ndihmës së të gjithë shoqërisë e institucioneve, ato jetojnë”.
“Me reformat, që do t’i marrim në sistemin e shëndetësisë, ne do të investojmë dhe do të angazhohemi të ketë parandalim të kësaj sëmundjeje përmes zbulimit të hershëm, por gjithashtu të ngrisim kapacitetet dhe kushtet, në mënyrë që numri i atyre, që shërohen përqindja e atyre që shërohen, të ngritet nga viti në vit”.
“Me këtë rast, më lejoni të falënderoj presidenten, zonjën Atifete Jahjaga për angazhimin dhe rolin e saj në këtë vetëdijesim e gjithashtu edhe shoqatën “Jeta, Vita”, përkatësisht zonjën Nafije, me të cilën u takuam edhe dje, sepse ne, përfaqësuesit e krerët institucionalë, pa këto shoqata dhe pa këto iniciativa, të zonjës Jahjaga dhe zonjës Nafije, ne nuk do të mund të kishim as për së afërmi rezultatet çfarë i kishim. Pas datës 31 tetor, vazhdon beteja jonë, pra, nuk përfundon me përfundimin e muajit tetor, ndonëse e kemi shpallur në mënyrë simbolike si muaj të luftës kundër kancerit të gjirit”.
Duke u bërë thirrje për të bërë kontrolle mamografike, ish-presidentja, Atifete Jahjaga, tha se në Kosovë nuk ka mungesë të pajisjeve, e gjithashtu edhe stafi mjekësor është profesionist.
“Përmes këtij aksioni simbolik ne shpresojmë përkrahjen ndaj të gjithëve që përballen me këtë sëmundje, u bëjmë thirrje të bëjnë kontrolle të rregullta. Disa vite më herët ka qenë më e vështirë, por tani edhe në QKUK janë të gjitha pajisjet e teknologjisë së fundit, dhe po ashtu stafi është i profesionist. Një skanim nënkupton shpëtimin e jetës”.
Themeluesja e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit, Nafije Latifi, tha se edhe pas përmbylljes së aktiviteteve për shënimin e këtij muajit, iniciativat për vetdijësimin e qytetarëve për kancerin e gjirit do të vazhdojnë.
“Atëherë sot përfundon aktiviteti për shënimin e këtij muajit, mirëpo lufta vazhdon. Unë falënderoj institucionet dhe Fondacionin Jahjaga. Qendrës tonë na mbetët që t’i ndërgjegjësojmë gratë sa më shumë, ndërsa institucioneve ju mbetet realizimi i kushteve sa më të mira. Mund të ju them se një punë shumë të madhe e bëjnë mediet, të cilat e përcjellin mesazhin tonë. Kërkojë nga të gjitha gratë që të bëjnë kontrolle”.
Pas kësaj të tre pjesëmarrësit, kanë vazhduar diskutimin e tyre në një kafene afër objektit të Qeverisë.