Ekzekutivi i vendit në mbledhjen e radhës ka marrë vendim për shpronësim të pronave të paluajtshme ish-shoqërore “Auto Prishtina” ish-hoteli Viktory për nevojat e Policisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Bashkim Musliu, tha se kjo pronë do të shpronësohet për nevojat e Policisë së Kosovës.
“Prona ndodhet në zonën kadastrale të Prishtinës shpronësimi bëhet për nevojat e Policisë së Kosovës”, tha Musliu.
Ministri i Drejtësisë (MD), Abelard Tahiri, tha se duhet të kihet kujdes të mos merret vendim përfundimtar për shpronësimin e kësaj prone ngase ekziston një padi nga shfrytëzuesi.
“Javëve të kaluara ne kemi pranuar një padi nga shfrytëzuesi i kësaj prone me herët dhe jemi dërguar në arbitrazh”.
“Ne e kemi kthyer kundërshtimin tonë dhe ditëve në vijim presim nga arbitrazhi se a do ta trajtoj një vendim te tillë”.
“Duhet të jemi të kujdesshëm mos të marrim ndonjë vendim përfundimtar për shpronësim përfundimtar të kësaj prone”, tha ai.