Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shpronësimin e pronave për zgjerimin e rrugës QMI- Lipjan, raporton Ekonomia Online.
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, tha se kjo rrugë synohet të “zgjerohet e modernizohet” nga një rrugë me dy korsi në një rrugë me katër korsi.
Raka tha se për të arritur këtë zgjerim duhet të preken zonat kadastrale Suhadoll- Libagj komuna e Graçanicës, dhe zonat kadastrale Konjuh-Lipjan në komunën e Lipjanit.
“Do të mbahen diskutime publike me zotëruesit e pronave në fjalë”- tha Raka.
Sipas projekt-buxhetit për vitin 2025, i cili kaloi në shqyrtimin e parë në Kuvendin e Kosovës, 2 milionë euro janë planifikuar për rehabilitimin e këtij segmenti rrugor të bartura nga viti 2024.
Ai tha se pas përfundimit të procedurave teknike, kërkon nga qeveria të nxjerr vendim me të cilin miratohet kërkesa për shpronësim të pronave qe preken nga realizimi i projektit QMI – Lipjan.