Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Financave, Bedri Hamza, në një konferencë për media kanë shpalosur vendimet që ka marrë qeveria.
“Kemi marrë dy vendime të rëndësishme; njëri vendim e liron prodhuesin nga akciza për lëndën e parë që e përdorë si burim energjie për prodhim dhe gjithashtu e liron prodhuesin edhe nga tatimi në doganë për lëndën e parë”, tha Haradinaj.
Ai tha se është një veprim i guximshëm, por një lajm i mirë për Kosovën, për ekonominë dhe për prodhuesin.
“Në fund të muajit nëntor do të kemi marrëveshje financiare të nënshkruar dhe me fillim të pranverës do të filloj ndërtimi i autostradës së Dukagjinit, e cila do të përmbyllet vitin që vjen. Kemi hapësirë të veprojmë në auto-rrugën për Gjakovë nga Klina, dhe vitin që vjen do të fillojmë me projekt”, tha kryeministri, duke potencuar se krejt këto janë kalkulime të qëndrueshme dhe me efekte ekonomike.
Ndërsa, ministri i Financave, Bedri Hamza, theksoi se ky nuk do të jetë fundi i këtyre masave, por do të vazhdojmë në konsultim me komunitetin e biznesit, me asociacionet që e përfaqësojnë biznesin, shoqërinë civile, por edhe me idetë që vijnë nga opozita, të krijojmë një ambient të përshtatshëm për prodhuesit tanë, një ambient të përshtatshëm për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, krejt kjo që ne t’i adresojmë sfidat kryesore të vendit tonë.
“Lirimi nga tatimi i akcizës të lëndëve, apo burimeve energjetike që përdorën për prodhim, pastaj ndryshimi i pagesës së akcizës ku nuk ka nevojë që të paguhen paratë paraprakisht dhe thjeshtësim dhe mundësimi për importe direkt nga ana e prodhuesve dhe jo si deri më tani që ka qenë vetëm ndërmjet ndërmjetësuesve”, deklaroi Hamza, raporton EkonomiaOnline.
Sa i përket tatimit të doganës Hamza tha se “në vazhdën e asaj që ka qenë e liruar, tash po ecim një hap mbi këtë duke bërë lirimin nga tatimi i doganës për të gjitha lëndët e para, për të gjitha gjysmë produktet, për ndërmarrjet prodhuese. E gjithë kjo për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”.
Por lidhur me këtë, ministri ka treguar se kjo pashmangshëm do të ketë implikime buxhetore, por këto vendime ishin hap i nevojshëm.
Sipas tij, për rritje të zhvillimit ekonomik dhe përmirësim të ambientit prodhues e biznesor në Kosovë.
“Nuk guxojmë të mendojmë se nëse bëjmë lirime të caktuar ‘a do t’i humbim disa milionë në mbledhje të tatimit’. Pasi këto masa do të kenë efekt pozitiv “, theksoi ai.
Haradinaj në fund ka folur edhe për një vendim të marrë për energjinë elektrike dhe për atë se ku qëndrojnë me projektin e Kosovës C.
Ai ka theksuar se dinamika për Kosovën C është në fazën finale.
Më tej Haradinaj shpjegoi rreth ndërtimit të autostradës së Dukagjinit, i cili ka thënë se do të fillojë në pranverë.