Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë 300 mijë euro për delegatët e legjislaturës së viti 1990, raporton Ekonomia Online.
Këta delegatë kanë certifikuar mandatin e deputetit në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës të datës 4 dhjetor 1999, të cilët kanë marrë pjesë në Mbledhjen e Kuvendit të Kosovës me datë 2 Korrik 1990 dhe me datën 7 shtator 1990 si dhe kanë vazhduar të marrin pjesë në mbledhjet e Kuvendit deri më datën 24 maj 1992.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Skënder Reçica ka deklaruar se emrat e tyre janë të parashikuar në buxhetin e Kosovës me vlerë prej 300 mijë euro.
Sipas këtij, propozim vendimi Reçica tha se janë 111 delegatë, dhe se shuma prej 300 mijë euro do të ndahet për ta.
“Mjetet e financiare janë 300 mijë euro. Objektivi është që delegatëve të vitit 1990, pra 111 delegatë, ta gëzojnë këtë të drejtë. Shuma prej 300 mijë euro do të ndahet proporcionalisht për 111 delegat. Me aprovimin e këtij vendimi përmbushet kompensimi financiar për delegatët e vitit 1990”.
Kryeministri Ramush Haradinaj, u shpreh se Kosova nuk ka harruar ata që kanë qenë në nivel të detyrës në kohën kur ka pasur më së shumti nevojë.
“E kemi pasur obligim moral dhe po e përmbushim këtë të drejtë të mohuar gjatë”.