Qeveria e Kosovës miratoi sot vendimin për transferin e stafit dhe rialokimin e mjeteve financiare për integrimin e personelit nga fondi i kontingjentit i të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile” (Civilna Zashtita) që ka vepruar në veri të Kosovës.
Për këtë para kabinetit qeveritar ka folur ministrja për Dialog, Edita Tahiri, raporton Ekonomia Online.
“Duke u bazuar në nenin 4 të Rregullores nr. 2 për fushat dhe përgjegjësitë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, e ndryshuar dhe e plotësuar me Rregulloren nr. 7/2011 dhe të nenit 19 të Rregullores së Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës 09/2011, u propozua aprovimi i vendimit për transferin e stafit prej 50 zyrtarëve, si dhe mjeteve financiare në shumë prej 31 mijë e 643 euro nga fondi i kontigjencës i paraparë në aneksin e vendimit 06/39 të Qeverisë i datës 22 korrik 2015 për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile” dhe integrimin e ish-personelit të saj në institucionet civile të Republikës së Kosovës”, tha ajo.
“Ky vendim e rrumbullakëson zbatimin e marrëveshjes për zhbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, theksoi Tahiri.