Qeveria në detyrë ka marrë vendim që të ndajë nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, për punonjësit e sektorit jopublik dhe studentët aktiv, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka prezantuar pakon.
Ai ka bërë me dije se pagesat për pensionistë dhe studentët do të bëhet para festes së Bajramit.
“Të gjendur përballë kësaj situatë, qeveria jonë nuk mund të qëndrojë duarkryq. Unë kam kërkuar nga ministri i Financave që të shfrytëzojë çdo mundësi buxhetore për të dizajnuar një pako për përballje me inflacionin, ashtu siç jemi zotuar.
Qytetarët e Republikës duhet ta dijnë dhe gjithmonë duhet të llogarisin se qeveria jonë dhe e tyre nuk do t’i lërë kurrë vetëm, pavarësisht pengesave apo bllokadave që të tjerët mund t’i vendosin në rrugën tonë.
Prandaj, sot kam kënaqësinë të ju njoftoj për pakon me përballje me inflacionin 2.0 të cilën e kemi dizajnuar dhe do ta miratojmë sot me masat si vijon: mbështetje e njëhershme prej 100 euro për pensionistët, mbështetje e njëhershme prej 100 euro për fëmijët, 100 euro për punonjësit e sektorit jo publik, 100 euro për studentët aktivë”, ka thënë ai.
Para se ta prezantojë pakon, Kurti tha se kur rishikimi i buxhetit u paraqit ne Kuvend për votim me procedurë të përshpejtuar për çfarë nevojiteshin 2/3 e deputetëve të pranishëm, “blloku opozitar e bëri të vetmen gjë që di ta bëjë tash e sa kohë pra bllokimin”.
“Për ta jetësuar këtë zotim në muajin e kaluar e proceduam në Kuvend të Republikës për miratim dhe rishikim buxhetin i cili do të siguronte fondet që do të mundësonin zbatimin e pakos për përballje me inflacionin. Kur rishikimi i buxhetit u paraqit ne Kuvend për votim me procedurë të përshpejtuar për çfarë nevojiteshin 2/3 e deputetëve të pranishëm blloku opozitar e bëri të vetmen gjë që di ta bëjë tash e sa kohë pra bllokimin”, ka shtuar ai.
Kurti pasi ka dhënë lajmin për ndarjen e nga 100 euro për pensionistet, studentët dhe punëtoret e sektorit privat, ka treguar se kur do të ndahen këto mjete, raporton Ekonomia Online.
Kurti, ka bërë me dije se pagesat për pensionistë dhe studentët do të bëhet para festes së Bajramit.
“Meqenëse për pensionistët dhe fëmijët nuk do të ketë nevojë për aplikim, sepse i kemi listat e përfituesve tashmë, do të synojmë që pagesat e njëhershme për familjet përfituese t`i bëjmë në fillim të javës që vjen, pra para ftesës se bajramit. Ashtu që secila familje të ndjehet e barabartë me atë ditë feste, duke e ditur se dora e mirë e shtetit kujdeset për ta. Kurse, për të punësuarit e sektorit jo publik dhe studentët, nga ministri i financave jam njoftuar që nevojitet procedurë aplikimi e cila do të hapet në javën e ardhshme”, ka thënë Kurti.
