Qeveria e Kosovës tha se nuk ka asnjë kërkesë për një takim mes të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Lajçak mbrëmjen e 25 janarit pritet të qëndrojë në Prishtinë, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet në Bruksel.
“Për agjendën e zotit Lajçak, ju lutemi që t’i drejtoheni ekipit të tij. Për takimet e kryeministrit Kurti me zotin Lajçak njoftoheni gjithmonë paraprakisht. Ne nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga Lajçak për takim me kryeministrin Kurti”, u tha në një përgjigje nga Zyra e Kryeministrit Kurti.
Për këtë vizitë të Lajçakut ende nuk ka detaje të hollësishme, por diplomatët në Bruksel pohojnë se edhe këtë vizitë duhet parë si vazhdim të përpjekjeve dinamike për të bindur palët që të pranojnë propozimin evropian për marrëveshjen bazë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak, por edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, publikisht kanë mirëpritur qëndrimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sa i përket propozimit evropian, apo siç njihet edhe si plani franko-gjerman. Kjo gjë lë përshtypjen se tani duhet të punohet më shumë edhe me përfaqësuesit e Kosovës.
Më 23 janar, Vuçiq deklaroi se propozimi i BE-së është kornizë e re negociuese për Serbinë.
Vizita e së mërkurës vjen disa ditë pasi Lajçak, së bashku me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe këshilltarët për politikë të Jashtme të Francës dhe Gjermanisë dhe të Italisë.
Për ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja, Borrell ka diskutuar para ministrave të Jashtëm të bllokut gjatë 23 janarit./REL/