Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se Qeveria dhe politika nuk përzihen në vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës, sepse ky institucion është i pavarur.
Kryeziu tutje ka thënë se qytetarët serb janë të integruar dhe të gatshëm që të integrohen në sistemin tonë bankar më shumë se sa që ekziston përshtypja.
“BQK është institucion i pavarur i Kosovës, dhe nuk munden politikanët t’i mbivendosen institucioneve të pavarura të shtetit, sepse kështu e humbim karakterin e republikës demokratike për vendin tonë të pavarur”, ka thënë ai teksa ka shtuar.
“Qytetarët tanë serbë janë shumë më të integruar dhe më të gatshëm që të integrohen dhe më tej në sistemin tonë bankar se që ekziston përshtypja. Janë gati 27 mijë pensionistë nga komuniteti serb që pranojnë transfere mujore në xhirollogaritë e tyre bankare. Një dëshmi tjetër është edhe fakti që me fillimin e shtesave për lehona dhe fëmijë nga viti 2021, janë mbi 5 mijë qytetarë nga komuniteti serb në Kosovë që kanë përfituar nga këto shtesa e të cilat i kanë pranuar ose vazhdojnë t’i pranojnë çdo muaj. Në takimet dhe komunikimet me partnerët tanë i kemi diskutuar të gjitha shqetësimet e tyre. Ka shumë propagandë që vjen nga Serbia e që nuk bazohet në fakte por vetëm në nxitje të frikës”, ka deklaruar ai në një përgjigje për TV Dukagjinin.
Më tutje ai ka theksuar se vendimet e BQK-së nuk mund të negociohen.
“Kushtetutshmëria, ligjshmëria, dhe vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohen nga politikanët. Qeveria e Republikës sё Kosovës është e përkushtuar qё periudhat eventuale tranzitore tё sigurojnë qё qytetarët tё adaptohen sa mё shpejtё, sa mё lehtë dhe pa dёmtime”, ka theksuar Kryeziu.