Me t’u kthyer nga vizita në SHBA, kryeministri Isa Mustafa pritet të intensifikojë angazhimet e tij për takime të përbashkëta me spektrin politik për çështjen e demarkacionit.
Këshilltari i tij, Faton Abdullahu, thotë se oferta për të biseduar është serioze dhe ka për qëllim ballafaqimin e fakteve.
Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Vigan Qorrolli thekson se edhe Qeveria edhe opozita duhet të dalin nga pozicionet e ngurta, nëse duan të arrijnë konsensus.
Kryeministri Isa Mustafa ndodhet në Nju Jork për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ndërsa pritet të kthehet në Kosovë javën e ardhshme. Me t’u kthyer, ai pritet të thërras spektrin politik për të biseduar për çështjen e demarkacionit. Megjithatë, edhe Qeveria edhe opozita vazhdojnë t’i mbajnë qëndrimet e ngurta.
Opozita kërkon që procesi të kthehet në pikën zero, ndërsa Qeveria e konsideron marrëveshjen për demarkacionin si të drejtë.
Këshilltari i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu thotë qëllimi i ftesës së kryeministrit është që të gjendet gjuha e përbashkët për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Ai thotë se oferta e kryeministrit për të biseduar është e sinqertë, është kërkesë për ballafaqim faktesh.
“Nuk duhet vështruar, analizuar, këtë ftesë në bazë të asaj se kush do të lëvizë nga pozicioni, kush do ta kthej çështjen në pikën zero e të tjera të kësaj natyre. Jo. Çështje kryesore është sjellja e fakteve. Argumentet janë ato që e rrëzojnë çfarëdo kokëfortësie në çfarëdo ane që mund të ekzistojë”, tha Abdullahu për Radio Kosovën.
Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Vigan Qorrolli thotë se demarkacioni kërkon konsensus gjithëpërfshirës, por mazhoranca dhe opozita duhet të dalin nga pozicionet e tyre të ngurta.
“Duke qenë se po kërkojnë tani me vonesë të skajshme dialog gjithëpërfshirës atëherë duhet që të dyja palët mos të jenë në pikën zero, por të dalin mbi zero, domethënë në pikën një dhe të kërkojnë gjithëpërfshirje, jo vetëm të palëve politike, por edhe të ekspertëve të cilët kanë kërkuar që të rinegociohen parimet e kufirit”, tha Qorrolli për Radio Kosovën.
Përfaqësuesit e koalicionit qeverisës dhe opozitës, deri më tani kanë mbajtur disa takime, të organizuara nga Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika.
Rashiti thotë se do të ketë edhe takime të tjera së shpejti. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti u gëzohet takimeve të tilla.
“Unë shpresoj shumë që pas takimit të javës së kaluara, do të ketë takime të radhës dhe do të ketë punë normale”, tha Pajaziti për Radio Kosovën.
Takimi i fundit i organizuar nga Rashiti ishte javën e kaluar, ku ishin të pranishëm përfaqësues të PDK-së, LDK-së, Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës për Kosovën. Pjesëmarrja e Vetëvendosjes në këtë takim, u konsiderua si një hap pozitiv drejt përafrimit të qëndrimeve.