Qeveria e Kosovës thotë se gjatë ditëve të fundit dhe nën lehtësimin e Zyrës së BE-së si dhe të Ambasadës së SHBA-ve, palët e përbëra nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, janë pajtuar që të zgjidhet çështja e cila lidhet me ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore.
Në një komunikatë shtypi të lëshuar rreth orës 2 pas mesnatës, mes të premtes dhe të shtunës, Qeveria njoftoi se “së bashku, ne kemi arritur një zgjidhje, e cila do të ulë tensionet në veriun e Kosovës, do të ndihmojë lirinë e lëvizjes dhe do të krijojë një ambient të favorshëm për të gjithë qytetarët në veri dhe në jug të Mitrovicës”.
“Gjatë ditëve në vijim, ne do të njoftojmë publikun me planin e rishikuar për zonën e këmbësorëve, e cila buron nga marrëveshja në kuadër të dialogut të BE-së, që ka të bëjë me projektin e BE-së për urën”, thuhet në komunikatë.
“Ne jemi të vetëdijshëm që çështja ka shkaktuar paqartësi në periudhën paraprake, por jemi kënaqur që të gjithë ne kemi pasur një qasje konstruktive në mënyrë që të përmbyllim këtë çështje në mënyrë të qëndrueshme”.