Qeveria e Isa Mustafës nuk e ka në plan të dorëzohet për çështjen e demarkacionit. Në qeveri thonë se nëse propozimi i fundit për matje të territorit nuk realizohet, atëherë do të ketë iniciativa të reja për t’i dhënë epilog kësaj marrëveshje, e cila po e mban vendin të bllokuar tash e 15 muaj.
Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit thotë se qeveria përkatësisht kryeministri do të ndërmarr iniciativa të reja pasi është jetike për qytetarët zgjidhja e demarkacionit.
“Ne e kemi marrë këtë iniciative, por do të shohim opsione tjera. Ne nuk do të ndalemi me këtë çështje. Nëse kjo nuk ka sukses, atëherë sigurisht kryeministri do të mendojë diçka tjetër. Ne duhet t’i tregojmë qytetarëve se jemi të interesuar ta zgjidhim me çdo kusht. Nëse opozita nuk dëshiron ta zgjidhe, atëherë edhe qytetarët do ta shohin se kush është për tu fajësuar dhe kush nuk po dëshiron bashkëpunimin më këtë çështje”, ka thënë Gecaj për ‘Indeksonline’.
Ai ka numëruar edhe njëherë proceset të cilat prolongohen si rezultat i mosratifikimit të demarkacionit.
“Çështja e demarkacionit varet nga liberalizimi i vizave, pastaj mosratifikimi i demarkacionit ndikon negativisht në procese tjera si krijimi i ushtrisë integrimet në BE. Dhe mosratifikimi i demarkacionit, na nxjerre joserioz me faktorin ndërkombëtar”, ka shtuar ai.
Duke folur për propozimin e fundit për matje të territorit, Gecaj thotë se Mustafa ka kërkuar nga tri partitë opozitare qe t’i dërgojnë ekspertët e tyre dhe të cilët bashkërisht me ekspertët shtetëror në mënyre profesionale do ta bënin matjen e territorit të vendit.
“Opozita nuk e ka mirëprit asnjë propozim edhe përpara. Pa opozitën ata prapë do të kontestojnë. Qëllimi është qe opozita të përfshihet në këtë proces dhe të tregojnë se janë të interesuar për qytetarët e Kosovës dhe jo vetëm për përmbysje të pushtetit”, ka përfunduar ai.
Partitë opozitare e kanë vlerësuar si joserioz këtë propozim. Ata insistojnë në shkarkim të komisionit shtetëror qe ka bërë shënjimin e vijës kufitare, por edhe në shpalljen e marrëveshjes në pikën zëro.