Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e sotme ka kërkuar nga Ministria e Financave, që në koordinim edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) të propozojë mundësinë e rritjes së pagave për shërbyesit civilë, për punëtorët e arsimit dhe ata të shëndetësisë.
Shefi i Qeverisë tha se gjatë kësaj periudhe ka pasur qëndrueshmëri të mirë buxhetore dhe lëvizje të mirë ekonomike, gjë që mundëson edhe rritjen e pagave.
Sipas tij është një rritje e konsiderueshme e buxhetit gjatë këtyre dy viteve që mundëson lëvizjen e pagave.
“Javën e kaluar kemi aprovuar informatën lidhur me ecuritë e buxhetit dhe për kornizat për vitet e ardhshme. Kemi konstatuar se kemi një qëndrueshmëri të mirë buxhetore gjatë kësaj periudhe, kemi lëvizje të mira ekonomike”, tha Mustafa.
” Në suaza të kësaj unë dëshiroj të kërkoj nga Ministria e Financave që në mbledhjet e ardhshme, në koordinim me FMN-në, të propozojë edhe mundësinë e rritjes së pagave për shërbyesit civil dhe njerëzit tjerë që punojnë në arsim dhe në shëndetësi, në gjysmën e këtij viti, në mënyrë që të përgatitemi edhe gjatë rishikimit të buxhetit t’i kemi këto komponente, dhe pastaj të zbatojmë në të ardhmen në mënyrë automatike rritjen e pagave sipas rritjes ekonomike”, tha kryeministri Mustafa.
Mustafa theksoi se gjatë këtyre dy viteve ka pasur rritje të konsiderueshme ekonomike, e cila mundëson një lëvizje sa i përket rritjes së pagave në të ardhmen.
“Do të kemi parasysh edhe sektorin privat, në mënyrë që të mos krijojmë diferenca shumë të mëdha, të cilat pastaj nxisin ikjen e kuadrove nga një sektor në sektorin tjetër. Nëse pajtoheni do të kërkojmë nga Ministria e Financave që të vije me një propozim të caktuar gjatë përgatitjes së ndryshimit dhe plotësimit të buxhetit për vitin e ardhshëm”, deklaroi numri një i Qeverisë.