Ekspertet e çështjeve juridike i kanë hedhur poshtë paralajmërimet e fundit të Qeverisë se mosbartja e maskave përbën vepër penale për qytetarët.
Ata thonë se institucionet mund të ndërmarrin veprime vetëm ndaj personave të infektuar sipas kornizës ligjore.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) i tha Ekonomia Online se Qeveria duhet të miratoj ligjin për pandeminë, përmes të cilit obligon qytetarët për respektim të masave.
Madje, ai ka fajësuar Qeverinë dhe Kuvendin për mungesë të vullnet për miratim të ligjit për Coronavirus.
E që sipas tij, mos miratimi i ligjit nga Qeveria do të thotë lojë me fatin e qytetarëve.
“Qytetarët në radhë të parë duhet të kërkojnë llogari nga Qeveria e Kuvendi se përse nuk kanë një vullnet politik për ta miratuar një ligj mbi sëmundjet e pandemisë për Covid-19. Ligj i cili do të plotësonte obligimet e qytetarëve për tu siguruar që të njëjtit veprojnë koonform ligjit”.
“Më kornizën ligjore që e kemi aktualisht, institucionet që e zbatojnë ligjin, mund të ndërmarrim veprime vetëm ndaj personave që janë të infektuar. Ata që kanë dalë pozitiv dhe të njëjtit nuk ndërmarrin masa për të parandaluar përhapjen e virusit”, u shpreh Miftaraj.
Mes tjerash, Miftaraj theksoi se aktgjykimet e dal nga Gjykata Kushtetuese e mbrojnë sigurinë juridike të qytetarëve.
“Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Avokati i Popullit e kanë thënë në mënyrë taksative që qytetarët kanë nevojë për siguri juridike dhe institucionet nuk mund të ndërmarrin masa ndaj askujt nëse nuk janë pozitiv me virusi”, tha ai.
Ndër të tjera, eksperti i çështjeve juridike ka thënë se çdo aktakuzë e ngritur ndaj qytetarëve gjatë kohës së pandemisë duhet të hudhen nga gjykatat.
Miftaraj potencoi se po ashtu është e jashtëligjshme paralajmërimi i rikthimit të masave pa miratimin e ligjit për pandeminë, raporton EO.
“Në bazë të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese çdo kundërvajtje që është shqiptuar deri me tani, cdo procedurë që është filluar pa bazë ligjore, të njëjtat do të hedhen dhe nuk do të ketë pasoja juridike për qytetarët”.
“Nëse nuk ka vullnet politik që qeveria të miratoj një ligj të tillë, atëherë po luan me fatin e qytetarëve dhe pasojat do të jenë ndaj tyre”.
“Karantinimi ose masat që kanë qenë në muajin mars e prill mund të kthehen vetëm nëse respektohet ligji dhe Gjykata Kushtetuese”, u shpreh Miftaraj.