Qeveria e Republikës së Kosovës ka hartuar rregullore të re për orarin e punës dhe pushimet e zyrtarëve publikë.
Këtë rregullore të re e ka siguruar gazeta “Epoka e re”.
Në Rregulloren (QRK) nr. 07/2022 për orarin e punës dhe pushimet e zyrtarëve Publikë, e cila është aprovuar në mbledhjen e 99 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në bazë të vendimit nr. 08/09, datë 30.09.2022, parashihet shkurtim i ditëve të pushimit nga përvoja e punës për zyrtarët publikë. Me hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje është shfuqizuar Rregullorja (QRK) nr. 12/2020 për orarin e punës dhe pushimet e zyrtarëve publikë.
Në rregulloren e mëparshme, të vitit 2020, zyrtarët publikë për përvojën e punës merrnin edhe një ditë pushim shtesë çdo dy vjet. Tash, me rregulloren e re për zyrtarët publikë, ata do të marrin një ditë pushim shtesë çdo pesë vjet për përvojën e punës. Do të thotë, me rregulloren e vjetër, nëse një i punësuar ka pasur përvojë pune 20 vjet, i kanë takuar, përpos pushimit vjetor, edhe dhjetë ditë të tjera pushim për përvojën e punës.
Me rregulloren e re zyrtarëve publikë që kanë përvojë pune 20-vjeçare do t’u takojnë vetëm katër ditë pushim shtesë. Ndryshime të tjera në rregulloren e re nga ajo paraprake vërehen edhe te neni 15, te përshkrimi “Mungesa në punë me pagesë”: “Zyrtari publik ka të drejtë të mungojë nga puna me kompensim të pagës për rastet si në vijim: 1.1. pesë (5) ditë në rast të martesës së tij; 1.2. pesë (5) ditë në rast të vdekjes së anëtarit të ngushtë të familjes; 1.3. tri (3) ditë për lindje të fëmijës; 1.4. dy (2) ditë pune për çdo rast të dhënies vullnetare të gjakut, duke përfshirë ditën e dhurimit”. Po ashtu, ndryshime në rregulloren e re nga ajo paraprake vërehen edhe në nenet e tjerë.