Krerët e Qeverisë dhe përfaqësues të koalicionit qeverisës shprehen të sigurt se liberalizimi i vizave do të ndodhë këtë vit. Ata thonë se vlerësime pozitive do të jepen qysh në javën e ardhshme kur do të publikohet Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha shprehen të bindur se Bashkimi Evropian shumë shpejt do të japë vlerësim pozitiv për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.
Qeveritarët shpresojnë që në Raportin për Kosovën (Raporti i Progresit siç quhej më herët) do të jepen vlerësime pozitive për luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar që është kriteri i fundit për heqjen e regjimit të vizave për kosovarët.
Se Kosova pritet të marrë rezultate pozitive kanë deklaruar edhe deputetë të koalicionit qeverisës në Komisionin për Integrime Evropiane pas një takimi me përfaqësues të BE-së që u mbajt dje.
Ata kanë bërë të ditur se është folur për zhvillime pozitive drejt liberalizimit të vizave.
Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje thotë se në takim kanë kuptuar se nuk do të ketë heqje të vizave gjatë këtij viti.