Në mbledhjen e Qeverisë sot është aprovuar kërkesa e KQZ-së për ndarjen e mjeteve buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme që do të mbahen më 4 dhjetor në Drenas.
Shuma e mjeteve të ndara për këto zgjedhje janë 221 mijë euro, edhe pse me kërkesë të KQZ-së ishin kërkuar 338 mijë euro, të parapara edhe për balotazh nëse është e nevojshme.
Qeveria gjatë mbledhjes ka shqyrtuar edhe agjendën për reforma evropiane, ku Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se agjenda e reformës evropiane ka rëndësi të madhe për Kosovën.
Sipas tij, zbatimi i MSA-së është një paraprirje për anëtarësimin e Kosovës në BE.
Qeveria miratoi edhe një varg propozim vendime për shpronësime.
Në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar shpronësimin, i cili prek tokat për rreth ndërtimit të Autostradës R6, Prishtinë- Han i Elezit, Sektorët C2C dhe C3, Komuna e Kaçanikut.
Në këtë mbledhje përveç kësaj pike u shqyrtuan edhe propozim-vendimet për kërkesën e shpronësimit të interesit publik të pronave shoqërore të KBI-së progres Prizren, të cilat preken nga realizimi i Projektit për ndërtimin dhe Impiantin për Trajnimin e Ujërave të Zeza, Zona Kadastrale Vllashnje të komunës së Prizrenit.
Po ashtu Qeveria ka shqyrtuar shpronësimin e krijimit të detyrueshëm të servitutit për interes publik të pronave private dhe shoqërore, të cilat preken nga realizimi i Fazës së Tretë të Projektit për ndërtimin e Fabrikës se Re të Ujit në fshatin Shkabaj.
Përveç këtyre pikave u bë edhe shqyrtimi për shpronësim publik të tokave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të Ndërtesave të ish-ndërmarrjes shoqërore “Gërmia” në Prishtinë, e cila do të përdoret për nevoja të akomodimit të Institucioneve të Qeverisë së Kosovës.
Qeveria shqyrtoi edhe Propozim-vendimin për t’i rekomanduar presidentit Thaçi dhënien e autorizimit të ministres së Drejtësisë për nënshkrimin e “Marrëveshjes për Transferim të Personave të Dënuar”, ndërmjet Kosovës dhe Italisë.
Gjithashtu ka shqyrtuar edhe ndryshimin e propozim-vendimit për shfuqizimin e Vendimit të Qeverisë së Kosovës numër 09/18 me datë 11 mars të 2015, me të cilin është themeluar Komisioni për hartimin e draftit të Kodit Civil.