Qeveria: S’ka konflikt mes ministrit në detyrë dhe deputetit – Kuvendi s’është konstituuar ende

Prishtinë | 15 Kor 2025 | 19:45 | Nga Ekonomia Online

Qeveria në detyrë ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, i cili thotë se deputeti nuk mund ta ushtrojë funksionin e ministrit, duke i quajtur pretendime të pabazuara në Kushtetutë dhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Qeveria pretendon se nuk mund të ketë konflikt funksional përderisa përbërja e re parlamentare nuk ka hyrë ende në funksion kushtetues.

“Sa i përket pretendimit për konflikt të mundshëm funksional ndërmjet funksionit të ministrit në detyrë dhe atij të deputetit, rikujtojmë se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në Aktgjykimin KO124/25, në dispozitiv por edhe në paragrafin 93 ka sqaruar se “…. Si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet dhe për rrjedhojë i njëjti nuk është funksionalizuar si organ përfaqësues me autorizime ligjvënëse, vendimmarrëse dhe mbikëqyrëse të përcaktuara me Kushtetutë.” Ky Aktgjykim ka konstatuar qartë se Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, për shkak se Seanca Konstituive nuk mund të konsiderohet e përfunduar pa zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë konflikt funksional mes pozitave të ministrit në detyrë dhe të deputetit, përderisa përbërja e re parlamentare nuk ka hyrë ende në funksion kushtetues”.

Në fund të deklaratës, Qeveria paralajmëron përdorimin e mjeteve juridike për të kundërshtuar këtë vendim dhe për të “rikthyer ligjshmërinë dhe standardet demokratike”, duke theksuar përkushtimin e saj për respektimin e rendit kushtetues dhe funksionimin e pandërprerë të institucioneve.

Të ngjashme