Mjetet për financimin e pakos emergjente, Qeveria në detyrë synon që t’i sigurojë përmes kredisë në institucionet financiare ndërkombëtare dhe emetimit të letrave me vlerë.
Masat e propozuara nga Ministria e Financave në vlerë 170.6 milionë euro, që kanë qëllim t’i ndihmojnë qytetarët dhe bizneset e dëmtuara nga përhapja e koronavirusit, pritet që të votohen sonte nga kabineti qeveritar, raporton KOHA.
Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, ka thënë se situata është problematike pasi llogaritet se do të ketë një rënie të të hyrave vjetore prej 200 milionë eurosh, si dhe rritje të shpenzimeve buxhetore për shkak të masave të vendosura.
“Ne jemi duke punuar në tri sfida, e para është reduktimi i shërbimit të mallrave dhe shpenzimeve brenda buxhetit ekzistues dhe reduktimit, i pritshëm prej shpenzimeve kapitale, përmes kësaj ne mundemi të sigurojmë diku 130 milionë euro financim. Një pjesë tjetër është përmes rritjes së borxhit të brendshëm, ndërsa pjesa tjetër prej 160 milionësh mund të sigurohet nga financimi me jashtë”, ka thënë Bislimi.
Për rritjen e borxhit dhe hyrjen në marrëveshje kreditore, ka thënë se do të kërkojnë aprovim nga Kuvendi i Kosovës. Por, ai iu ka bërë thirrje bizneseve të mos keqpërdorin situatën e krijuar.
“Qeveria e mbulon një pjesë të pagës dhe punëdhënësi pjesën tjetër, duhet të kuptojmë se jemi në krizë dhe të gjithë ne duhet të bartim një kosto, përfshirë edhe punëtorin, edhe biznesin, edhe qytetarin, por edhe Qeverinë. Nuk guxojnë bizneset që të thonë se tash ka filluar kriza dhe le t’ju paguajë Qeveria se ne nuk ju japim mjete, pasi që ne nuk do të bashkëpunojmë me ato biznese”, ka theksuar ministri në detyrë i Financave.
Ndërkohë, përfaqësuesit e bizneseve kanë kërkuar që pakoja e propozuar të jetësohet sa më shpejt, pasi humbjet në ekonominë e vendit llogariten të jenë milionëshe. Oda Ekonomike e Kosovës ka propozuar disa ndryshime, siç është paga prej 289 eurosh për të gjithë punëtorët e sektorit privat.
“Nëse kjo zgjat të themi tre muaj, kjo 1 miliard euro dëme për ekonominë e vendit, që janë pothuajse 1/7 e GDP-së…170 është marrë paga minimale, ne po e konsiderojmë që është e ulët, sidomos duke e parë që sektori publik ata që pak a shumë paguhen me taksa tona i kanë marrë pagat e plota”, ka thënë Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Pakoja e propozuar nga Ministria e Financave, përveç të tjerash, parasheh edhe 130 euro asistence mujore për 3 muaj për të gjithë punëtorët që humbin punën gjatë kësaj periudhe. Po ashtu, parashihet mbulimi i një pjese të shpenzimeve për bizneset që kanë pësuar humbje si rezultat i vendimeve qeveritare.