Edhe pse ka më pak se dy vjet që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka kaluar në pronësi të Kuvendit të Kosovës me kërkesë të Sekretariatit të Komitetit të Energjisë, Qeveria e Kosovës po synon që këtë ndërmarrje ta kthejë sërish nën menaxhimin e saj.
Në koncept-dokumentin për valën e parë të racionalizimit dhe vendosjes së vijave të llogaridhënies për agjencitë të cilat funksionojnë në Kuvend, planifikohet kthimi i KOSTT-it në linjën e llogaridhënies në Qeveri, përkatësisht në Njësinë për Monitorim të Performancës së Ndërmarrjeve Publike, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, në vitin 2016 ishte përballur me një dilemë në vendimmarrje, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo pasi Sekretariati i Komitetit të Energjisë në komentet që kishte dërguar gjatë draftimit të Ligjit për Energji Elektrike kishte kërkuar që bordin e prodhuesit, KEK-ut dhe KOSTT-it të mos e zgjidhte organi i njëjtë institucional, përkatësisht Qeveria.
Kjo ishte mbështetur në parimet e liberalizimit të tregut dhe ofrimit të kushteve për një konkurrencë sa më të drejtë. Komisioni kishte ndërruar disa dispozita duke ia kaluar pronësinë e KOSTT-it Kuvendit, por jo edhe duke e ndërruar statusin e ndërmarrjes publike.
Në dokumentin i cili ka dalë në konsultime publike thuhet se “ndërmarrjet publike qendrore raportojnë në Qeveri, përkatësisht në Njësinë për Ndërmarrje Publike në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE)”. Megjithatë, pas nxjerrjes së ligjit më 2016, Bordi i drejtorëve vetëm njofton Qeverinë me qëllim të monitorimit të zbatimit të politikave në sektorin e energjisë.