Qeveria do të ndajë nga 3 500 € për “raste specifike” të familjeve me persona të zhdukur

?
Prishtinë | 25 Jan 2018 | 18:29 | Nga

Këshilltari i kryeministrit, i emëruar mbajtës i dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka, sot ka takuar familjarët e personave të zhdukur nga komuna e Podujevës, në takimin e organizuar nga Shoqata “Përkorë”.

Në fillim të takimit, familjarët e pranishëm u njoftuan rreth planifikimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që çështja e personave të zhdukur të trajtohet me prioritet të veçantë, duke potencuar nismën, me të gjithë aktorët e angazhuar në këtë proces, në përgatitjen e Planit të Përbashkët të Veprimit, po ashtu përfshirjen e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Persona të Zhdukur në “Agjendën e Koncept Dokumenteve për vitin 2018”.

Sipas një komunikate të Kryeministrisë, Lluka i ka njoftuar familjarët në lidhje me përkrahjen e Qeverisë dhënë për familjarët e personave të zhdukur si në “projektin për rehabilitim” përmes ndarjes së 30 000 Euro, apo edhe në ndarjen e 3 500 euro, për disa nga rastet specifike të familjeve të personave të zhdukur.

Mbajtësi i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka, duke theksuar faktin se për familjarët çështje prioritare është të mësojnë sa më parë për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre, theksojë se ‘Serbia duhet të ndërpresë lojërat në çështjen e personave të zhdukur dhe të hap arkivat e të jetë më bashkëpunuese, meqë dihet që Serbia asnjë veprim gjatë luftës nuk e ka bërë pa plan dhe koncept’.

Kryetari i Shoqatës “Përkorë”, Latif Mehmeti, dhe familjarët e pranishëm, parashtruan një sërë pyetjesh dhe ngritën shqetësimet rreth vonesave të identifikimit të mbetjeve mortore në Morgun, në Prishtinë, pastaj për të drejtat dhe beneficionet e familjarë që duhet të trajtohen me ligj, si dhe kërkesat për një përkrahje më të madhe institucionale. Në pyetjet e familjarëve dhe çështjet e ngritura nga familjarët, gjatë takimit u përgjigjën Mbajtësi i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka, Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, Përfaqësuesi i Mjekësisë Ligjore në Komision, Naim Uka, përfaqësuesi i Shoqatave Familjare në Komision, Bajram Qerkinaj, dhe Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit, Kushtrim Gara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme