Qeveria ka miratuar kërkesën drejtuar Kuvendit për tërheqjen e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, raporton Ekonomia Online.
Projektligji u tërheq me të gjithë pro, përpos tri abstenimeve nga komuniteti serb. Kjo me qëllim që Projektligji t’i bashkëngjitet edhe deklarata e arritur mes presidentëve të të dyja shteteve.
Kryeministri, Ramush Haradinaj, tha se kjo mbledhje po mbahet për shkak të situatave të reja që kanë dalë ku edhe është bërë Deklarata e përbashkët e presidentit, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq. Sipas tij, për këtë çështje ka konsensus nga të gjitha palët.
“Vendimi për tërheqje nga shqyrtimi në Kuvend të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, është bërë me qëllim të plotësimit dhe ndryshimit të këtij Projektligji duke reflektuar në rrethanat e reja, përkatësisht në Aneks Marrëveshjen e nënshkruar më 16 shkurt 2018 ndërmjet presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, për rishikimin dhe korrektimin e sektorëve në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit”.
Ndërsa në orën 16 Qeveria ka paralajmëruar mbledhje ku në rend dite është: “Plotësimi dhe ndryshimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit te Zi”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me 16 shkurt ka bërë të ditur se ai dhe homologu i tij nga Mali i Zi, Filip Vujanoviq kanë nxjerrë një deklaratë të përbashkët për shënjimin e kufirit mes të dyja vendeve.
Në deklaratën e përbashkët të dy presidentëve thuhet se: “Republika e Kosovës do të procedojë në Kuvendin e Kosovës dhe do të ofrojë të gjitha përpjekjet për të ratifikuar marrëveshjen sipas Nenit 12 të marrëveshjes”.
“Republika e Kosovës dhe Mali i Zi pas ratifikimit njoftojnë njëra-tjetrën që kanë përmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore përmes kanaleve diplomatike dhe konstatohet se marrëveshja ka hy në fuqi do të formojnë një trup të përbashkët punues për shënjimin e vijës kufitare”.
Për të dielën ishte caktuar seanca ku ishte proceduar marrëveshja, por ajo u shty për këtë javë për shkak se koalicioni qeverisës nuk i kishte votat e mjaftueshme për ta kaluar atë, raporton EO.