Zyra e ish Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit në nëntor të 2011-ës kishin shpenzuar 175 euro vetëm në file levreku.
Në hotelin luksoz “Emerald” ishin porositur “13 file levreku Provance”.
Çmimi për një të tillë kishte kushtuar 13 euro e gjysmë, ndërsa totali i peshqve të porositur kapte shifrën e 175 euro e 50 cent.
Përveç levrekut ata kishin porositur edhe sallata të cilat kishin kushtuar 6 euro copa.
13 sallata të llojit “Summer dream salad” i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 78 euro.
Aty janë pirë edhe 4 shishe verë që kanë kushtuar 64 euro.
Fatura e plotë e kësaj darke kishte kushtuar 330 euro në total.
Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.
Në dosjen prej qindra faturash të siguruara pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.
Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.