Qeveria thotë se gjendja e komunave të vërshuara nga uji është nën kontroll

Prishtinë | 12 Jan 2021 | 16:12 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti është njoftuar nga Qendra e Situatave, se gjendja në komunat të cilat janë përballur me vërshime ditëve të fundit si pasojë e reshjeve të shumta të shiut dhe të borës, është nën kontroll.

Edhe pse, vërshime ka pasur në një numër të konsiderueshëm të komunave, fatmirësisht përpos dëmeve materiale, vlerësimi i të cilave do të bëhet ditëve në vazhdim, nuk ka pasur të lënduar dhe as viktima në njerëz.

Sipas të dhënave nga Qendra e Situatave, gjendja vazhdon të jetë e rëndë por me tendencë përmirësimi.

Zyra e kryeministrit në detyrë, përmes një komunikate për media njofton se ekipet e Xhenios, Kompania për Operacione Civile e FSK-së si dhe Njësitet e Ekipeve të Zjarrfikësve dhe të Shpëtimit, janë duke i ndihmuar banorët në zonat e prekura nga vërshimet.

Hoti është njoftuar se edhe sot gjatë ditës kanë vazhduar intervenimet e Njësiteve të Kërkim Shpëtimit dhe të Xhenios së FSK-së në një lokacion në komunën e Fushë Kosovës dhe në dy lokacione në komunën e Vushtrrisë.

Ndërsa Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, ka zhvilluar operacione për largimin e ujit nga objektet me rendësi vitale siç janë Klinika e Pulmologjisë në QKUK, KEK-u, Trafostacioni Interkonektiv në Drenas dhe Spitali i Gjinekologjisë në Çagllavicë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme