Qeveria vazhdon të kursejë, anulohet tenderi milionësh i Ministrisë së Ekonomisë

Prishtinë | 29 Gus 2022 | 11:02 | Nga Ekonomia Online

Një muaj e gjysmë pas hapjes së afatit për pranimin e ofertave për një projekt madhor në Prizren, Ministria e Ekonomisë ka anuluar një tender të parashikuar në vlerë rreth 1.5 milion euro.

“Implementimi i Rrjetit të pavarur jopublik 5G në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren” nuk do të realizohet këtë vit.

Tenderi për këtë projekt, i cili është iniciuar nga Ministria e Ekonomisë në muajin korrik, është anuluar më 19 gusht, bëhet e ditur në platformën publike të prokurimit, e-prokurimi.

Kësisoj, qeveria e kritikuar për mungesën e shpenzimit të buxhetit në projekte kapitale, ka anuluar edhe një projekt të radhës me vlerë të madhe monetare.

Projekti, i cili parashihte implementimin e rrjetit të internetit 5G në Parkun e Inovacionit në Prizren, është anuluar për arsye të mosplanifikimeve të duhura buxhetore nga qeveria.

“Arsyeja e anulimit është: Buxheti për këtë projekt për vitin 2022 është i planifikuar sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2022. Në mungesë të procesit të rregullt të rishikimit të buxhetit, buxheti indikativ për vitet 2023 dhe 2024 nuk është reflektuar në Ligjin bazik”, thuhet në arsyetimin e Zyrës së Prokurimit të Ministrisë së Ekonomisë.

“Andaj, sipas rregullave të financave publike aktiviteti duhet të ndërprehet sipas nenit 62 sepse Autoriteti nuk ka të drejtë ligjore të krijoj obligime kontraktuale në mungesë të miratimit (rishikimit) të Ligjit mbi ndarjet buxhetorë të Republikës së Kosovës për vitin 2022 duke reflektuar në planifikimin e buxhetit indikativ për vitet në vijim”, vijon arsyetimi.

Ministria ka bërë të ditur se ky projekt do të iniciohet sërish vitin e ardhshëm.

Të ngjashme