Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, mbajti sot mbledhjen e 141-të me radhë, në të cilën ka miratuar Strategjinë e Energjisë së Republikës së Kosovës, si dhe vendime tjera nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Pika e parë që mori aprovimin e Qeverisë ishte Strategjia e Energjisë së Republikës së Kosovës 2017-2026, e cila synon krijimin e një sektori stabil të energjisë të favorshëm për mjedisin dhe shëndetin, në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenies shoqërore, në kuadër të një tregu të lirë dhe konkurrues.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, gjatë prezantimit të kësaj pike tha se arritja e këtij synimi është bazuar në pesë objektiva strategjike:
1. Sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike dhe me kapacitete të nevojshme për një sistem stabil të energjisë elektrike;
2. Integrimi në tregun rajonal të energjisë;
3. Rritja e kapaciteteve ekzistuese të sistemeve termike dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja;
4. Zhvillimi i infrastrukturës së gazit natyror;
5. Plotësimi i caqeve dhe obligimeve me efiçiencë të energjisë, burimet e ripërtëritshme dhe mbrojtje të mjedisit.
Kryeministri Isa Mustafa tha se është një dokument tepër i rëndësishëm për vendin.
“E përgëzoj Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe të gjithë ata që kanë punuar, edhe partnerët tanë që kanë bashkëpunuar në hartimin e kësaj strategjie e cila vlerësoj se është dokument tepër i rëndësishëm dhe hap perspektiva zhvillimore si një fushë e domosdoshme e resurseve për zhvillimin tonë”, tha kryeministri Mustafa.
Është aprovuar edhe Strategjia për përfshirjen e komuniteteve rom dhe ashkali në shoqërinë kosovare 2017-2021 dhe Plani i Veprimit, që ka për qëllim që këto komunitete të promovohen dhe të realizojnë në mënyrë efektive të drejtat e tyre në Republikën e Kosovës, në veçanti të kenë qasjen e plotë në arsim, punësim, shërbime shëndetësore dhe banim.
U aprovua edhe Koncept-dokumenti për hartimin e Projektligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës. Çështja e dhënies së tokës në shfrytëzim nga ana e komunave, edhe pse është e rregulluar me ligj, është rishikuar, për të ndjekur trendët rajonale për tërheqjen e investitorëve të jashtëm. Është parë e arsyeshme që komunat të kenë forma dhe procedura tjera, për të arritur marrëveshje më të shpejta dhe më të efektshme me investitorët lokalë dhe ata të huaj.
Kabineti qeveritar ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare për mbulimin e kostos për ekspertiza profesionale në çështjen AXOS GMBH për kontestin “Privatizimi i PTK-së” që lidhen me vlerësimin e dëmit dhe ekspertiza në fushën e legjislacionit vendor dhe ndërkombëtar, konventat e zbatueshme në Republikën e Kosovës dhe ligjet e aplikueshme lidhur me investimet.
Ky vendim nxirret si rrjedhojë e mos shpenzimit të mjeteve financiare në vitin paraprak, për shkak të mbylljes së vitit fiskal 2016. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka informuar kabinetin se deri më tani, ecuria e ndërtimit të mbrojtjes dhe grumbullimit të dëshmive është duke shkuar sipas agjendës së planifikuar dhe se së shpejti do të sjell në Qeveri një informatë të kompletuar për këtë rast.
Është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për shënimin e festave të komuniteteve në Kosovë. Mjetet do të ndahen nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, dhe shërbejnë për shënimin e festave nacionale që kanë komunitetet.
Gjatë kësaj mbledhje, është miratuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë nr. 07/138 të datës 22 mars 2017, lidhur me emërimin e Bordit menaxhues të Lotarisë së Kosovës, me të cilin vendim janë emëruar edhe dy anëtarë tjerë të këtij Bordi.
Është miratuar informimi i kabinetit qeveritar lidhur me aktivitetet e kryera që ndërlidhen me fillimin e mbledhjes së premiumeve për sigurimin shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka bërë të ditur se së shpejti do të nis rekrutimi i stafit për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, ndërsa është finalizuar edhe drafti final i Projektligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Pas përfundimit edhe të dy udhëzimeve administrative, që përcaktojnë kriteret për lirimin nga pagesa e premiumeve për qytetarët e Republikës së Kosovës, ministri Rrahmani ka pohuar se është në përfundim edhe lista e shërbimeve të kujdesit themelor shëndetësor.
“Lista e shërbimeve të kujdesit themelor shëndetësor, respektivisht pakoja bazike për shërbime spitalore, mund të themi se pas kalimit në të gjitha fazat e hartimit të analizës dhe komenteve me institucionet shëndetësore, grupi teknik profesional është duke e finalizuar këtë listë, dhe shumë shpejt Bordi i Fondit do të merr vendim dhe do ta procedojë në Qeveri për miratim përfundimtar”, tha ministri Rrahmani.
Kryeministri Isa Mustafa ka kërkuar që informata më komplete të përgatitet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, pasi një obligim i tillë del nga Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për sigurime shëndetësore. Meqenëse nga korriku do të aktivizohen sigurimet, kryeministri Mustafa kërkoi që informata të kompletohet deri në fund të javës së ardhshme.
“Në fund të javës tjetër ta kemi informatën për Kuvend të kompletuar. Gjatë javës së ardhshme do të mbajmë edhe një takim me ministrat përgjegjës të fushave të caktuara, ashtu siç kemi kontaktuar përpara me përfaqësues dhe donatorë të jashtëm, me Bankën Botërore, me Ambasadën Zvicerane, me përfaqësues të Luksemburgut dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë, dhe së bashku me ta, të vlerësojmë se ku kemi arritur në përmbushjen e të gjitha detyrave tona. Në fund të javës ta aprovojmë informatën në Qeveri dhe t’ia përcjellim Kuvendit sipas Rezolutës së Kuvendit, sepse e kemi obligim që ta informojmë Kuvendin”, tha kryeministri Mustafa.
Është miratuar edhe vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit nr. 16\ 20 të datës 24.03.2015, i plotësuar dhe ndryshuar me Vendimin nr. 04\ 21 të datës 01.04.2015. Ky ndryshim është bërë pas të dhënave të marra nga Doganat, sipas të cilave, muajt e fundit ka filluar një import i një sasie të konsiderueshme të vajit të rëndë për ngrohje, produkt që me normat aktuale nuk ngarkohet me tatim të akcizës , për dallim nga vajrat tjera të rënda. Me qëllim që produktet e tilla të kenë norma të njëjta të detyrimeve doganore, dhe që të ketë konkurrencë të barabartë në treg, është vendosur që të plotësohet vendimi, në mënyrë që të vendoset norma e tatimit të akcizës.
Kabineti miratoi edhe vendimin për krijimin e strukturave përgjegjëse për menaxhimin indirekt, për fushën e politikave për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të Instrumentit për Asistencë Para-Anëtarësimit të Bashkimit Evropian –IPA II.
Sipas këtij vendimi, do të formohen strukturat menaxhuese, strukturat operative, si dhe auditori, në harmoni me nenet 10 dhe 11 të “Marrëveshjes Kornizë”, të nënshkruar në mes të Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian në prill 2015, “Mbi marrëveshjet për zbatimin e asistencës financiare të Bashkimit Evropian për Kosovën”, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit IPA-II të fushës së politikave për bujqësi dhe zhvillim rural.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, tha se ky vendim është njëri nga më të rëndësishmit që merren nga Qeveria, në kuadër të procesit integrues dhe të përafrimit me Bashkimin Evropian, veçanërisht tek fusha e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
“Kosova duhet të ndërmarrë këtë hap. Është hera e parë që ne marrim një vendim për të krijuar struktura përgjegjëse për menaxhim indirekt apo të decentralizuar të fondeve të BE-së, me këtë qëllim final. Asgjë nuk do të përfundoj me sot. Në fakt, ne sot po fillojmë një kapitull shumë të rëndësishëm dhe shpresoj se angazhimi siç ka qenë deri më sot, i të gjitha instancave, do të vazhdoj edhe në të ardhmen” tha ministri Krasniqi.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit të Qeverisë nr. 02/78 të datës 09.03.2016, për ndryshimin e qëllimit të përdorimit të kompleksi banesor-afarist “Hade dhe Hade 2”.