Qeveria zotohet t’i përkrahë vajzat dhe gratë në STEM, përfshirja e tyre kontribuon në zhvillimin ekonomik

Prishtinë | 26 Pri 2024 | 12:02 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nën përkujdesjen e Zyrës së Kryeministrit, për të dytin vit me radhë ka organizuar Konferencën STEMinists’24, e cila promovon avancimin profesional të grave dhe vajzave, në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM).

Në hapje të konferencës, kryeministri Albin Kurti, nëpërmes një video mesazhi, ka thënë se do të vazhdojë angazhimin për përfshirjen e vajzave e grave në këto drejtime, raporton Ekonomia Online.

Kurti tha se sistemi STEM është futur për herë të parë në programin e kësaj qeverisjeje, teksa përmendi edhe numrin e bursave të ndara për vajzat dhe gratë.

“Janë të shumta gratë dhe vajzat të apasionuara pas shkencës e janë të pakta ata që e njohin në arritje e tyre. Vazhdojmë të angazhohemi për përfshirjen dhe pjesëmarrjen aktive të vajzave dhe grave në STEM. Qeveria e Kosovës e ka intensifikuar mbështetjen për vajzat në STEM. Gjatë këtij mandati kemi ndarë 4630 bursa për studentë për vajzat dhe gratë. Sistemi STEM është futur si politikë e re për herë të parë nga Qeveria jonë. Zhvillimi i shtetit tonë krijohet, ndërtohet, dhe ushqehet nëpërmjet përparimit të qytetarëve tanë”, tha Kurti në videomesazh.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se krahas ofrimit të mundësive për gratë dhe vajzat, Qeveria Kurti i mban edhe premtimet që i ka dhënë. Këtë ngjarje, Nagavci e cilësoi të rëndësishme për vajzat dhe gratë.

“Sot është një ditë e rëndësishme për ne, sepse ju shkencëtarë vajza e gra, me punën tuaj të pandalshme keni shënuar sukses në fusha kaq komplekse, kaq të rëndësishme për jetën e shoqërisë dhe ekonomin e vendit, dhe ato po i shënojmë sot duke ofruar mundësinë e diskutimit. Është ky i dyti vit radhazi që po e organizojmë konferencën e cila promovon në mënyre dinjitoze avancimin profesional të grave dhe vajzave, në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës. Qeveria e Kosovës jo vetëm se mban premtimet e veta për krijimin e mundësive për përfshirjen e vajzave dhe grave në të gjitha fushat e jetës, por ka politika afirmative në ofrimin e mundësive për gratë dhe vajzat”, u shpreh Nagavci.

“Asnjë vend nuk mund të lulëzoj nëse e shtyp potencialin e grave. Gratë dhe vajzat në STEM janë një garanci shtesë për vendin tonë, jeni rilindje për shekullin 21. Ndaj sot në emër të Qeverisë dhe në emër timin riafirmoj gatishmërinë për mbështetje në të gjitha format”, tha Nagavci.

E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se si Qeveri, përfshirjen e grave në çdo fushe e shohin si kontribut në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

Ajo tha se do të vazhdojnë të përkrahin vajzat dhe gratë në STEM.

 “Sot jemi këtu për të shënuar një dite të rëndësishme për gratë dhe vajza në STEMinists. Këto nuk janë thjesht fjalë të bukura dhe nuk kanë të bëjnë vetëm për hir të gjithëpërfshirjes dhe për hire të përfshirjes së vajzave në këto fusha. Ne si Qeveri përfshirjen e grave në çdo fushe e shohim jo vetëm si qëllim në vetvete e jo vetëm si realizim i të drejtave të grave por edhe si kontribut në zhvillimin tonë të gjithmbarshme ekonomik dhe shoqëror. Ka fusha në të cilat kemi bërë përparim viteve të fundit për çka jemi krenar. Në sektor të ndryshme si sektori i TIK kemi në fuqinë punëtore 40 për qind të grave e vajzave që është prapë shumë dukshëm se sa në shumë vende të zhvilluara”, tha ajo.

“Në trajnimet të ofruara nga Ministria e ekonomisë 41 për qind e pjesëmarrëseve janë gra. Duhet të kemi parasysh që kurrë nuk duhet ë jemi të kënaqur me arritjet, ne zotohemi se do i përkrahim gjithmonë gratë dhe vajzat në STEM”, tha Rizvanolli.

Koordinatorja për Zhvillim në UN, Arnhild Spence, ka thënë se angazhimi i grave më sektorin STEM e zhvillon ekonominë e vendit.

“Jam e lumtur të jem këtu së bashku me koleget e mia nga UNICEF dhe UNDP. Do të doja ta filloja nga revolucioni i edukimit në Kosovë sepse siç e dimë është një rrugëtim i gjatë derisa gratë filluan studimet në STEM dhe edukimi duhet të filloj nga moshat e studimit të hershëm. Kosova vitin e kaluar ka adaptuar strategji të re mësimore dhe është një hap me të vërtetë i rëndësishëm për Kosovën. Edhe statistikat e tregojnë që Kosova ka arritur ndikime në shkollim primar dhe sekondar, andaj duhet përmendur patjetër edhe gratë të cilat kanë fëmijë apo edhe gratë të cilat qëndrojnë në shtëpi edhe pse kanë diploma akademike në sektorin e STEM, ne duhet ta bëjmë të mundur që gratë edhe të punojnë edhe të kenë fëmijë”, ka thënë ajo.

Të ngjashme