Përshpejtimi i procesit të dialogut dhe nevoja për koordinim më të mirë të veprimeve politike në këtë drejtim me ShBA-në, opozitën dhe shoqërinë civile po shihen të domosdoshme.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se pikat të cilat kanë qenë të specifikuara në marrëveshjen e Washingtonit duhet të elaborohen në tersi dhe më detajisht nga pala kosovare dhe ato të vihen në tavolinë, për të shërbyer si bazë për dialog të mëtutjeshëm.
“Qasja e kryeministrit i cili shkon në drejtim të asaj që të konfrontohet Serbia në të kaluarën e saj dhe në një farë mënyre të jep përgjigje për të kaluarën e saj para se të hyhet në çështjet për të tashmen dhe të ardhmen në marrëdhënie ndërmjet dy shteteve është çështje e drejtë. Mendoj se është çështje e duhur për momentin. Por ajo që duhet të ndodh dhe që është e domosdoshme është që të kemi përshpejtim të aktiviteteve në aspektin e dialogut dhe nevoja për koordinim shumë më të mirë të veprimeve politike në këtë drejtim me ShBA-në”.
“E gjithë politika e Kosovës në katër dekadat e fundit ka qenë e koordinuar me ShBA-në dhe tash nuk ekziston asnjë arsye që të mos kemi në mënyrë më të hapur një bashkëveprim edhe në rrafshin e dialogut dhe të veprojmë në koordinim që vijnë nga Washingtoni. Pikat të cilat që kanë qenë të specifikuara në marrëveshjen e Uashingtonit duhet të elaborohen në tersi dhe më detajisht nga pala kosovare të bashkë koordinohen me ShBA-në dhe ato të vihen në tavolinë dhe të shërbejnë si bazë për dialog të mëtutjeshëm”, tha Agani.
Sipas tij, nëse do të ketë ndryshime në politikën e jashtme të vendit dialogu mund intensifikohet në pjesën e parë të vitit të ardhshëm dhe të ketë diçka konkrete.
“Me dinamikën aktuale nuk mund të pritet në periudhë të afërt kohore. Por nëse kemi ndryshime në politikën e jashtme të vendit dhe të kemi intensifikim të aktiviteteve në këtë drejtim unë mendoj se ky dialog mund intensifikohet në pjesën e parë të vitit të ardhshëm dhe është e mundur që ka fund i vitit që vjen të kemi diçka konkrete”, shtoi ai.
Në anën tjetër, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abduallahu ka vlerësuar se dialogu nuk duhet anashkaluar, por në koordinim me administratën e presidentit amerikan Joe Biden, duhet të shkohet në Bruksel me gjithë potencialin.
Sipas Abdullahut Qeveria nuk është e zonja të hy në dialog me Serbinë, andaj po shfaqë hezitime të mëdha.
“Parimisht ne konsiderojmë ashtu si edhe më parë se dialogu duhet të zhvillohet, ne nuk duhet të i bishtohemi dialogut, ne nuk duhet ta anashkalojmë këtë proces, nëse është edhe njëfarë obligimi por ne konsiderojmë që kur të hyjmë në dialog, duhet të hyjmë me të gjithë potencialin që kemi e mbi të gjitha kur të mundohemi të bëjmë diçka në këtë proces në të mirë të Kosovës, ne me patjetër si institucione, si qeveri si tërësi duhet të koordinohemi pandalshëm vazhdimisht me administratën Biden”.
“Kjo tani e disa muaj prej që kemi këtë qeveri nuk mund të thuhet se po ndodhë, me asgjë kjo Qeveri nuk na ka bindur se është në valë të njëjta, në koordinim të vazhdueshëm me administratën Biden dhe ne kemi një mbështetja si e kemi pasë më herët për tu ballafaquar me Serbinë në dialog, për të nxjerr përfitime për Kosovën. Kjo nuk po ndodhë me asgjë nuk po e shohim si PDK se kemi të bëjmë me një Qeveri e cila po reagon në përputhshmëri me rrethanat e reja të krijuara për të bashkëpunuar me Administratën Biden. Kjo si duket e bën këtë Qeveri që mos të jetë e zonja të hy sa e si duhet në dialog me Serbinë e të ketë hezitime të mëdha”.
“Prandaj nuk presim shumë se do të ndodhë në raport me këtë Qeveri me dialogun. Ndërkohë që ne kemi qëndrime të qarta, me gjithë përvojen që kemi nga e kaluara, ku kemi qenë shumë të suksesshëm në dialog me Serbinë, ne konsiderojmë se tani nuk duhet të lëvizim as të bëjmë diskutim qështjen e kufijve e të njejtën kohë nuk duhet të pranojmë asnjë variant pushtet të tretë në kuadër të bisedimeve por të shkojmë nga ajo që përfitojmë sa më shumë deri te ajo e fundit që duhet të jetë proces dhe duhet të mos zgjatet dhe të shkojmë guximshëm në atë rrugëtim për ta siguruar njohjen e Kosovës”, ka thënë ai.
Ndërsa Emir Abrashi nga Demokraci Plus, ka thënë se kjo Qeveri nuk ka treguar seriozitet në procesin e dialogut.
Abrashi rezultate të bisedimeve i konsideron se do të duhej të ishin normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohje e ndërsjellë dhe në anën tjetër do të nënkuptonte një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme për të dyja palët.
“Deri më tani Kosova nuk ka qenë shumë serioze në procesin e dialogut me Serbinë, flas që nga marrja e Qeverisë Kurti 2. Në këtë aspekt ne kemi pasur disa takime të cilat janë zhvilluar në Brukel, megjithatë nga asnjëri nga ato takime deri më sot nuk kmei arritur në një diçka konkrete. Ka pasur më shumë spekulime, ka pasur tone nacionaliste të cilat janë përdorur, megjithatë asgjë që do të shtyente përpara procesin e dialogut.
“Në ketë proces ne jemi tash e 10 vjet po hyjmë në vitin e 11 dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova të jetë palë serioze dhe ta shfrytëzojë momentumin i cili është krijuar më ardhjen e Administratës Biden në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Biden është një person i cili e di realitetin në Kosovë, ka qenë i involvuar personalisht në zgjidhjen e konflikteve në Jugosllavi dhe i cili do të mund të bënte presion edhe mbi bashkimin evropian për që është edhe më e rëndësishme mbi Serbinë për ta shtyrë përpara një zgjidhje përfundimtare të procesit të dialogut që do të nënkuptonte normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, njohjen e ndërsjellë mes dyja vendeve dhe në anën tjetër do të nënkuptonte një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme për të dyja palët”, është shprehur ai.
Sipas Abrashit prioritet mbi prioritete Kosova duhet ta shpalosë në Bruksel çështjen e të pagjeturve.
“Qeveria duhet që sa më parë të fillojë hartimin e një strategjie kombëtare për dialogun e cila do të duhej të hartohej në bashkëpunim me opozitën dhe shoqërinë civile dhe e cila do të shërbente si udhërrëfyes e ekipit tonë negociator sa i përket prioriteteve të Kosovës, vijave të kuqe dhe në anën tjetër do t’i përcaktonte temat që ne do t’i diskutojmë. Kjo strategji e cila do të duhej të hartohej në bashkëpunim me opozitën dhe shoqërinë civile, normalisht nënkupton se do të kishte legjitimitet brenda vendit por edhe do ta forconte pozicionin negociues të Kosovës jashtë. Në fakt prioritet mbi prioritete duhet të jetë zbardhja e fatit të pagjeturve”, ka përfunduar ai për EO.