Edhe pse rëndësia e kuotës gjinore shpesh ishte kritikuar dhe kundërshtuar, ndikimi i saj në përfshirjen e më shumë grave në Kuvendin e Kosovës është shumë i vrejtshëm, thotë Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA).
“Ndonëse në listat zgjedhore të partive politike ishin rreth 30% kandidate gra, në zgjedhjet e fundit parlamentare numri i grave deputete (sidomos atyre që fituan pa ndihmën e kuotës) u rritë dukshëm për dallim prej viteve të tjera. Zbatimi i legjislacionit për kuotën gjinore ka hapur rrugë për më shumë gra politikane. Në disa raste gratë të cilat herën e parë e kanë fituar mandatin e deputetes përmes kuotës, në zgjedhjet e tjera janë radhitur ndër deputetët më të votuar”, thuhet në komunikatën e QIKA-së.
Në grafikonin e paraqitur nga QIKA vërehet se numri i grave që kanë fituar pozitën e deputeteve pa ndihmën e kuotës është rritur ndër vite. Përderisa në zgjedhjet e vitit 2007 ishin vetëm 16 gra që ishin zgjedhur pa kuotë, në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të këtij viti numri i tyre është rritur në 35.
“Ne vlerësojmë se kuota ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm duke ndihmuar gratë nga rajone e profesione të ndryshme të jenë pjesë e parlamentit. Kësisoj, kuota ka lehtësuar angazhimin politik për gratë të cilat në një realitet tjetër kanë qenë larg mundësive të përfshirjes në sferën publike”, thuhet tutje.
“Mirëpo kuota nuk duhet të jetë caku ynë. As rritja e numrit të grave deputete nuk është e mjaftueshme për betejën tonë për barazi. Veçse kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të shtruar diskutimin shumë të nevojshëm për rëndësinë e angazhimit politik të vajzave dhe grave në Kosovë”, thuhet në përfundim të komunikatës.