Qendra për Këshillim dhe Çështje Sociale (QKÇS) ka bërë një hulumtim rreth ndikimit të rrjeteve sociale tek të rinjtë në Kosovë.
Sipas hulumtimit, 42 për qind e të rinjve të anketuar kanë thënë se përdorin rrjetet sociale, siç është Facebooku, për t’i lexuar opinionet e njerëzve të tjerë, ndërsa 42 për qind të tjerë i përdorin për të shpërndarë foto ose video.
Gyltene Derguti, nga kjo organizatë, tha se të rinjtë në Kosovë kanë qasje të papenguar në faqet pornografike. Kjo gjë, sipas saj, ndikon në ndërtimin intelektual të gjeneratës së re, raporton Ekonomia Online.
“Websajtet e pacenzuruara ua mundësojnë qasjen të rinjve edhe në ato faqe ku përmbajtja mund të jetë e dëmshme për ta”.
Sipas statstikave, websajtet me përmbajtje pornografike brenda një viti përfitojnë rreth 100 miliardë dollarë. Kurse, numri i vizitorëve në këto faqe sillet rreth 28 200 në sekondë.
“Interneti ua mundëson edhe fëmijëve të qasen lirshëm si në përmbajtje agresive, pornografike, frikësuese, të cilat kanë një ndikim tejet negativ në zhvillimin e fëmijëve”, theksoi Derguti.
Samire Prebreza-Peci ka thënë se 42 për qind e të anketuarve i përdorin rrjetet sociale për t’i lexuar opinionet e njerëzve të tjerë, ndërsa 42 për qind të tjerë i përdorin për të shpërndarë foto ose video.
Gëzim Qerimi, ligjërues në Fakultetin e Gazetarisë, analizoi përdorimin e madh të rrjeteve sociale.
“Operatorët e ndryshëm ekonomik i shfrytëzojnë rrjetet sociale për shkak të audiencës së lartë që ata kanë sot. Përveç reklamimit të produkteve në këtë audiencë përfitohet edhe reagimi i shpejtë, pa kosto financiare i produkteve ndaj konsumatorëve” ka thënë Qerimi.