Qendra Kinematografike e Kosovës dhe EAVE kanë nënshkruar sot Memorandumin e mirëkuptimit me qëllim të bashkëpunimit në ofrimin e edukimit audiovizual, për qytetarët e Kosovës, në platformën European Audiovisual Entreprneurs (EAVE).
EAVE, është trajnim profesional për zhvillimin e projekteve filmike dhe për krijmin e kontakteve mes producentëve nga e gjithë bota.
Kjo platformë është themeluar në vitin 1988 për t’i bashkuar producentët nga vendet e ndryshme të botës me synimin e lehtësimit të marrëdhënieve për bashkëprodhim. EAVE ka për qëllim kontributin në krijimin e rrjeteve të fuqishme të kontakteve të cilat do të forcojnë prodhimin e pavarur në të gjithë botën. Ky është një trajnim intenziv për një vit, i ndarë në tri punëtori.
Përmes këtij Memorandumi përfitojnë producentët kosovarë të cilët pranohen në EAVE duke iu dhënë mundësia të jenë pjesë e trajnimit kryesor në Evropë.
Rreth Memorandumit drejtori i QKK-së, Arben Zharku u shpreh se “EAVE është një nga platformat më të rëndësishme për producentët e rinj dhe nënshkrimi i kësaj marrëveshje ndihmon producentët kosovar që të fitojnë eksperiencë, të marrin dijeni dhe të lidhin kontakte me emrat dhe institucionet më eminente të Evropës”.
Ky Memorandum do të zgjasë 3 vjet me mundësi të ripërtëritjes.