Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës -QKRMT, është duke e monitoruar rastin e të dënurit D.H., të cilit i është ndërprerë pezullimi i dënimit.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës – QKRMT në kuadër të mandatit për monitorimin e vendeve të privimit nga liria, në vazhdimësi ka monitoruar trajtimin e të dënuarit D.H., ku disa herë ka adresuar ankesat dhe shqetësimet e tij rreth problemeve shëndetësore.
QKRMT me vëmendje ka përcjellë raportimin e mediave rreth rastit D.H. Gjendja shëndetësore e D.H. si dhe diagnoza e sëmundjes së tij, nuk mund të trajtohet në institucionet korrektuese të Kosovës.
Mungesa e institucioneve adekuate brenda Shërbimit Korrektues dhe mungesa e stafit mjekësor të vazhdueshëm për trajtimin e këtij rasti brenda institucioneve korrektuese, është raportuar edhe nga Departamenti Shëndetësor i Burgjeve, ku janë të njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës si dhe Ministri i Drejtësisë.
Bazuar në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNj), në mungesë të trajtimit adekuat për rastet e tilla gjatë vuajtjes së dënimit, GJEDNj ka gjetur shkelje të Nenit 3 (Ndalimi i Torturës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Andaj, QKRMT do të monitoroj dhe hulumtoj trajtimin e këtij rasti në të gjitha aspektet, dhe në kuadër të mandatit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vendet e privimit nga liria, do t’iu adresohet autoriteteve përgjegjëse, me qëllim të parandalimit të torturës dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut në vendet e privimit nga liria.
QKRMT ju bën thirrje të gjitha autoriteteve kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat për trajtimin adekuat të këtij rasti. Po ashtu QKRMT është duke avokuar që në ndryshimet e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, të zgjidhet çështja e vendosjes dhe trajtimit të rasteve me sëmundje të rënda dhe me diagnozë terminale.