QKSS kritikon Inspektoratin Policor për pasivitet

Prishtinë | 18 Tet 2016 | 14:44 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka prezantuar sot rezultatet e hulumtimit “Monitorimi dhe Vlerësimi i Integritetit në Institucionet e Sigurisë në Kosovë”, i cili vë në pah sfidat më të mëdha të integritetit në Policinë e Kosovës dhe FSK.

Hulumtimi, i cili përfshin periudhën prill-shtator të këtij viti tregon se gjatë kësaj kohe Inspektorati Policor nuk ka qenë sa duhet aktiv.

Hulumtuesi i QKSS-së, Plator Avdiu, i cili e ka përpiluar raportin për Policinë, ka thënë se ky institucion ka qenë shumë pasiv sidomos në fushën e inspektimeve.

“Sa i përket Inspektoratit Policor është vërejtur se ky institucion gjatë kësaj kohe ka qenë bukur pasiv, sidomos në fushën e inspektimeve. Për protestën e 28 nëntorit të viti 2015, ku policia ka bastisur zyrat e një subjekti opozitar inspektorati tek tash ka dal me një raport”, ka thënë Avdiu.

Ndërsa, përpiluesi i raportit për FSK-në, Skënder Perteshi, ka tregua se ky institucion në përgjithësi ka shënuar progres në krahasim me raportin e kaluar. Ai ka tregua se Ministri e FSK-së ka hartuar planin e integritetit, i cili, sipas tij, duhet të zbatohet edhe në praktikë.

Perteshi ka vlerësuar se sfidë kryesore për këtë ministri ende vazhdon të mbetet buxheti i vogël.

Qëllimi i konferencës ishte nxitja e diskutimeve lidhur me sfidat dhe prioritetet e ndërtimit të mekanizmave të qëndrueshëm të integritetit në sektorin e sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë tek çështjet më të ndjeshme të integritetit në PK dhe FSK.

Gjetjet për Policinë e Kosovës: 

  • PK-ja akoma ka pozita të caktuara që udhëhiqen nga ushtrues të detyrës. Edhe pse nga viti në vit ky trend është në rënie, gjatë vitit 2016 janë evidentuar gjashtë.
  • Janë vërejtur dobësi sa i përket dosjeve të personelit të PK-së. Institucionet që mbikëqyrin PK-në kanë raportuar se gjatë vitit 2015 ka pasur raste kur kontratat e punës të të punësuarve në Polici nuk azhurnohen dhe në disa raste nuk bëhet as vlerësimi i performancës së punës së personelit të PK-së.
  • Çështja e pensionimit të parakohshëm të zyrtarëve policorë vazhdon të zvarritet nga Qeveria e Kosovës. Projektligji që rregullon këtë çështje ende nuk është miratuar nga Qeveria dhe as nga Kuvendi i Kosovës. Kjo mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në ngadalësimin e reformave brenda PK-së.
  • Ende nuk janë rregulluar dy çështje që ndërlidhen ngushtë me punën e personelit te PK-së: (i) sigurimi shëndetësor dhe (ii) sigurimi jetësor në rast të humbjes së jetës apo invalidimit të zyrtarëve policorë gjatë punës zyrtare. As njërën e as tjetrën nuk e gëzojnë personeli policor.
  • Në disa raste Policia e Kosovës nuk vepron në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi për prokurimin publik. Ka pasur dobësi në hartimin e dosjeve të tenderit nga Policia, ku ishte e kufizuar pjesëmarrja e më shume operatorëve ekonomikë për aktivitetet e prokurimit publik të Policisë.
  • Ka pasur vonesa në përmbushjen me kohë të projekteve dhe kontratave të Policisë nga ana e operatoreve ekonomikë. Andaj nevojitet të ketë mbikëqyrje më të mirë në realizimin e punëve.
  • Policia e Kosovës, në disa raste, ka dështuar të ekzekutojë pagesa ndaj operatorëve ekonomikë, duke mos i respektuar afatet ligjore. Kjo ka rritur rrezikun e pagesave shtesë si dëmshpërblim ndaj operatorëve ekonomikë.
  • Sfidë për Policinë e Kosovës është edhe menaxhimi i pasurisë, sidomos në fushën e automjeteve. Qindra automjete të Policisë, nga viti 2012, presin riparimin dhe mirëmbajtjen për shkak të arsyeve të ndryshme.
  • Gjatë kësaj periudhe raportuese (prill- shtator 2016) zyrtarë policorë kanë qenë të përfshirë si të dyshuar për vepra penale dhe shkelje të detyrave zyrtar Rasti i arrestimit të një polici që transportonte narkotikë dhe shpërfillja e detyrës zyrtare nga zyrtarët policorë në raste të caktuara dëshmojnë për nevojën e forcimit të mekanizmave të kontrollit të brendshëm të Policisë së Kosovës.
  • Gjatë gjysmës së parë të vitit 2016 Inspektorati Policor i Kosovës ka hetuar 109 zyrtarë policorë nën dyshimin se kanë kryer vepra penale, ndërsa ka rekomanduar suspendimin e 24 zyrtarëve policorë si të dyshuar për vepra penale. Megjithatë,ky institucion duhet të jetë me aktiv sa i përket mbikëqyrjes së Policisë së Kosovës. 

Gjetjet për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK):

  • MFSK në korrik të vitit 2016 ka hartuar planin e integritetit me qëllim të ngritjes dhe forcimit të integritetit në MFSK. Menaxhimi i burimeve njerëzore, prokurimi publik, kontrolli i brendshëm dhe parandalimi i konfliktit të interesit përbëjnë fushat ku do të kërkohet punë konkrete në periudhën 2016-2018.
  • Struktura aktuale e MFSK-së duhet të rishikohet duke iu përgjigjur kësisoj kërkesave për llogaridhënie. Njësia e Auditimit të Brendshëm duhet të parashihet me strukturë dhe organogram që t‘i përgjigjet direkt ministrit të MFSK-së.
  • Qeveria, MFSK-ja, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik dhe agjencitë tjera të prokurimit publik ende nuk i kanë filluar procedurat për hartimin e rregullores e cila përcakton procedurat e prokurimit publik për institucionet e sigurisë dhe MFSK-së, e cila duhet të jetë derivat i Nenit 3 të Ligjit të Prokurimit Publik.
  • Monitorimi i zbatimit të kontratave të lidhura me operatorët ekonomik  vazhdon të përbëjë problem për FSK-nëpër shkak të numrit të vogël të menaxherëve të caktuar për mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave në krahasim me numrin e kontratave të lidhur ndërmjet MFSK-së dhe operatorëve ekonomik.
  • MFSK-ja ka mungesë të analizave të hulumtimit të çmimeve të tregut. Për pasojë nuk bëhet ndonjë analizë paraprake lidhur me  çmimet të cilat ofrohen nga ana e operatorëve ekonomik, sidomos për produkte dhe pajisje të mbrojtjes.
  • Përshkrimi i vendeve të punës për zyrtarët dhe pjesëtarët e MFSK-së ende vazhdon të jetë sfidë për këtë institucion. Përshkrimi i vendeve të punës ekziston, por ky përshkrim është më shumë gjithëpërfshirës, dhe në të shumtën e rasteve  përshkrimi i detyrave të vendit të punës, nuk është në harmoni me aktivitetet dhe punët të cilët i kryejnë në praktikë.
  • Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës ende nuk ka adresuar në tërësi çështjen për disa zyrtarë të MFSK-së , të cilat janë të punësuar me kontratë mbi vepër.
  • Praktika e thirrjes së anëtarëve të njëjtë në bordet për vlerësim dhe gradim duhet të rishikohet dhe të rregullohet në MFSK. Kjo duhet të bëhet përmes ndryshimit të legjislacionet apo rregulloreve, të cilat përcaktojnë përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve për gradim dhe vlerësim.

Prej 34 rekomandimeve të dhëna nga Njësia e Auditimit të Brendshëm për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovë në vitin 2015,  11  rekomandime janë zbatuar plotësisht nga ana e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, 17 prej tyre janë në proces të zbatimit, kurse 6 rekomandime ende nuk janë zbatuar.

 

Të ngjashme