QKUK përjashton punëtoren për ryshfet, ministri Ismaili e përshëndet vendimin

Prishtinë | 02 Pri 2019 | 21:53 | Nga Ekonomia Online

Drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ka njoftuar se ka larguar nga puna punëtoren e arrestuar sot nga Policia, pasi e njëjta ishte kapur në flagrancë duke marr ryshfet.

Pas raportimit për arrestimin e punëtores së lavatores në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, F.C, menaxhmenti i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar (SHSKUK), bazuar në Ligjin e Punës, ka larguar përkohësisht atë nga puna.

Npërmjet një komunikate SHSKUK thotë se mbështet veprimin e Departamentit të Hetuesisë duke dënuar veprimin e bërë dhe siguruar qytetarët se nuk do të ketë vend për punëtorët që keqpërdorin detyrën zyrtare.

Vendimin e ka përshëndetur edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

“Nuk po i përmirësojmë kushtet në Institucionet Publike Shëndetësore që ato të bëhen streha të korrupsionit. Të gjithë ata që mendojnë se do të mund të keqpërdorin detyrën zyrtare duke vjedhur qytetarët tanë do të ballafaqohen me ligjin”.

“U njoftova nga drejtoria e SHSKUK-së për suspendimin e menjëhershëm të punëtores në lidhje me rastin e marrjes së ryshfetit. Arrestimet dhe largimet nga puna janë të vetmet përgjigje që kemi për ta”, ka shkruar Ismaili, në një postim në faqen e tij në Facebook.

Me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e dyshuara e arrestuar në flagrancë, është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore.

Të ngjashme