Më shumë se tre milionë vizita dhe shërbime shtëpiake janë dhënë nga Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF) në Prishtinë. Këtë për Ekonomia Online e ka bërë të ditur drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku.
Vetëm dy muajt e fundit, ekipet mjekësore kanë arritur t’i kryejnë 260 vizita në ditë. Sadiku ka thënë se synim kanë rritjen e cilësisë së shërbimeve, teksa falënderon ekipet mjekësore.
Ai ka deklaruar se ky shërbim vazhdon të jepet 12 orë në ditë, në shtatë ditë të javës, pasi ishte vetëm tetë orë në ditë.
Sfidues e sheh numrin e vogël të stafit shëndetësor, krahasuar me numrin e madh të banorëve në Kryeqytet.
“Deri në fund të gushtit kemi pasur 2 milionë e 200 mijë vizita tash është 3.5 (milionë) vizita më shumë që do të thotë se po rrisim numrin e vizitave dhe shërbimeve. Ajo që është forcuar shumë në Prishtinë është shërbimi shëndetësore shtëpiak, ky shërbim kur kemi ardhë ne me kryetarin Rama, ka punuar 5 ditë te javës me nga 8 orë. Nga 1 marsi i vitit të kaluar kemi bere këtë shërbim 12 orë në 7 ditë të javës, kur kemi ardhë ne, ky shërbim ka dhëne 65-70 vizita në ditë. Në gusht dhe shtator i ka dhënë 260 vizita në ditë, 300 për qind kemi rritje të shërbimit”, u shpreh Sadiku.
“Ne po punojmë që me rritë stafin për arsye që stafi në Prishtinë është shumë i vogël në raport më numrin e banoreve, prandaj numri i mjekeve është i vogël por ne po arrijmë që bashkërisht me punën që janë duke bërë mjekët më i rritë shërbimet dhe njëkohësisht me bo cilësor shërbimin”, u shpreh tutje Sadiku për EO.
Drejtori i Shëndetësisë në Kryeqytet, ka deklaruar se aktualisht në Prishtinë kanë realizuar numër rekord të mamografive. Në muajin shtator janë bërë 300 mamografi, ndërsa deri në mes të muajit tetor janë bërë 575 sosh.
“Ne këtë vit kemi nisur kampanjën shumë më herët, për herë të parë këtë idenë për kampanjën më të hershme se tetori e kemi bërë me 18 shkurt, jemi takuar me ‘Renesancën’, ne kemi nisur një aktivitet për vrapim aktiviteti ka qenë në qershor e kemi bere një grup punues dhe kemi ataku të gjitha fushat, mbas plotë një muri aktivitetesh ne e kemi përfundim këtë aktivitet më 1 tetor ku ka qenë vrapimi dhe kanë qenë mbi 1 mijë njerëz, dhe plotë përfaqësues të ambasadave dhe ka qenë vrapimi më i madh… rezultatet kanë qene që tashmë i kemi 3 mamograf dhe në gusht kanë qene 8 memografi, në shtator i kemi 300 dhe për 15 ditë e para tetorit e kemi 575 memografi që është numër rekord i mamografive të realizuara në një komunë mbas lufte në Kosovë”, deklaroi Sadiku.
Sadiku ka thënë se kanë shtuar numrin e aktiviteteve, duke ndarë 10 mijë euro subvencione për gratë me kancer. Subvencionimi kap shifrën e 250 euro për një grua.
“E kemi rritur gamen e aktiviteteve pastaj kemi ndarë me kompanitë që kemi investuar diku mbi 10 mijë euro fonde për ‘Renesancen’ që është organizatë që i ndihmojnë gratë më kancer. Prishtina për 9 muaj të këtij viti ka dhënë 350 subvencione te gratë me kancer, që është 250 euro subvencioni. Këtë vit njerëzit kanë shprehë interesim që prej fillimi më përkrahë fushatën me qëllim që ne e kemi për obligim, sepse qenia grua është e veçante, prandaj më këtë fushate po mendojë që po arrimë më përkrahë gruan dhe duke përkrah gruan e përkrahim vetveten”, u shpreh Sadiku.