Anton Quni e ka një synim. LDK-së dëshiron t’ia rikthejë pushtetin në Prizren.
Ai premton se do të angazhohet shumë, për ta jetësuar këtë qëllim.
Kryetari i ri i LDK-së në Prizren, Anton Quni, thotë se subjekti i tij, politik është i vetmi që mund të bëjë ndryshme në vend.
“LDK-ja është subjekti i vetëm jo vetëm në Prizren, por në Kosovë, e cila çdo ditë e ka dëshmuar dhe po e dëshmon se mund të bëjë ndryshime të mira për qytetarët”, tha Quni për ‘PrizrenPress”.
Anton Quni është zgjedhur të premten kryetar i Degës së LDK-së në Prizren.
Ai, kundërkandidatë ka pasur deputetin e këtij subjekti politik, Driton Selmanaj.
Dega e LDK-së në Prizren, në mandatin e kaluar është drejtuar nga Haxhi Avdyli.
Quni, i cili aktualisht është edhe deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, premton se do të punojë shumë për ta renditur të parën, LDK-në në Prizren.
“Me punë të vazhdueshme do t angazhohem në terren dhe në hapjen e dyerve për të rinjtë, të cilët do t’i kontaktojë ditëve në vijim për t’ju shpjeguar se sa i rëndësishme për Prizrenin dhe Kosovën është besimi i tyre në LDK”, shprehet ai.
“LDK është partia e vetme që mund të bëjë ndryshime pozitive për qytetarët, prandaj do të punoj me aktivistët që kanë mbajtur gjallë këtë subjekt politik, që ta forcojmë edhe më shumë”, tha ai për “PrizrenPress”.
“Jam i bindur se shumë shpejt qytetarët e Prizrenit, do të na bashkëngjiten, duke e shikuar LDK-në si subjekt të vetëm në këtë qytet”.
Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) në Prizren, aktualisht bashkëqeverisë me VV-në dhe Nismën.
Ky koalicion është lidhur nga ish-kryetari Haxhi Avdyli, pas fitores në balotazh të kryetarit aktual të Komunës, Mytaher Haskuka, kundër kandidatit të PDK-së, Shaqir Totaj.
Kryetari i ri i LDK-së në Prizren, Anton Quni thotë se pas takimeve me strukturat e partisë, do të bisedojë edhe për çështjen e funksionimit të koalicionit të LDK-së me VV-në dhe Nismën.
“Sa i përket koalicionit do të filloj së shpejti një seri takimesh me strukturat tona në teren, ku do të marr edhe vlerësimin e mendimin e tyre, si për koalicionin ashtu edhe për performancën e drejtorëve tanë”.
“Pas vlerësimeve me ekipin tim dhe strukturat partiake të nivelit qendror dhe do të dalim me qëndrim përfundimtar, se si do te vazhdojmë tutje me koalicionin në Prizren”.