Në një fabrikë të vogël mobiljesh kah hyrja e Ferizajit, pronari rri i heshtun mes dy realiteteve. Në njërën dorë fletorja: qira, rrymë, lëndë e parë, transport. Në tjetrën dorë telefoni, ku sapo i erdhi lajmi se paga minimale po shkon në 500 euro. Punëtori në linjë i gëzohet me të drejtë numrit të ri, por pak metra më larg, shefi i ndërrimit me pagë 620 euro e kqyr sehri. Pyetja që e bluan në mendje është e thjeshtë: “E unë, ku mbeta?”
Kjo nuk është veç një moment nga periferia e Ferizajit. Kjo është fotografia e asaj që ndodh kur paga minimale rritet mekanikisht, pa u mendu çfarë efekti zinxhiror krijon në krejt shkallën e pagave.
Menaxhmenti i mesëm, shefat e ndërrimeve, shefat e reparteve, përgjegjësit e dyqaneve, koordinatorët e shitjes në shumë biznese janë shumë afër numrit të ri. Ata që e mbajnë mbi supe punën e përditshme mbesin vetëm pak mbi pagën minimale ligjore.
Kur paga minimale rritet shpejt, pa rritje reale në ekonomi, dallimi mes atij që sapo ka fillu me punu dhe atij që mban përgjegjësi për njerëz e procese fillon me u zhduk. Pra, përshkallëzimi i pagave që dikur ka pas disa hapa të qartë kthehet në një rrafsh ku krejt duken gati njësoj.
Punëtori me pagë minimale fiton, dhe kjo është e drejtë. Por shefi i tij me 620 euro fillon ta bëjë pyetjen që çdo njeri normal do ta bënte: pse me mbajt përgjegjësi, me u marrë me orare e me stres çdo ditë, për një diferencë kaq të vogël? Kur kjo pyetje shtrohet në mijëra biznese, kemi një shtresë të tërë njerëzish që fillojnë me u ndje të nënçmuar.
Punëtori me 500, shefi me 620 dhe eksperti me 1200 nuk janë armiq mes vete. Janë pjesë e të njëjtit zinxhir, që bien krejt bashkë kur vendimet për ekonomi merren për video në Facebook e jo për realitetin në terren. Kur “mesi” i ekonomisë ndjehet i nënçmuar, bie cilësia e udhëheqjes, planet mbesin në letër, vendimet merren “shkel e shko”.
Në të njëjtën kohë, numrat tregojnë se gjendja veç është nisë me u keqësu. Qarkullimi i bizneseve prodhuese, sektorit që mban mbi supe ekonominë, pas një rritjeje të qëndrueshme nga 2018 deri më 2024, në vitin 2025 po bie për rreth 9 për qind. Pra, prej afro 1.9 miliardë euro qarkullim, sektori zbret në rreth 1.7 miliardë. Pikërisht në momentin kur prodhuesit po hyjnë në rënie, vendimet politike po ua rrisin edhe më shumë kostot operative, pa konsultim serioz, pa analizë të ndikimit, pa përgjegjësi.
Rryma më e shtrenjtë. Shpenzime përcjellëse gjithnjë e më të larta. Barrë administrative dhe financiare që vetëm rritet. Në këtë realitet, rritja e pagës minimale pa plan më të gjerë nuk bie mbi “shtetin” në abstrakt, bie mbi këta njerëz konkretë dhe mbi këto biznese konkrete.
Pastaj vjen shtresa tjetër, edhe më e ndjeshme: ekspertët. Ata nuk e shohin veç numrin e pagës minimale, por se sa vlerë i jep shoqëria punës së tyre. Kur dallimi mes pagës minimale dhe pagës së tyre tkurret, ndërsa stresi dhe përgjegjësia mbesin të njëjta, pyetja bëhet konkrete: pse këtu, e jo diku tjetër? Në një vend ku ikja nga vendi është gjithmonë opsion, një rritje e paanalizuar e pagës minimale lehtë mund të shtyjë pikërisht ata që na duhen më së shumti me kërku rrugë jashtë Kosovës.
Në anën tjetër janë bizneset. Shumë prej tyre sot janë duke u mundu me mbijetu mes rrymës së shtrenjtë, qirasë, inflacionit dhe konkurrencës nga importi. Për një pronar fabrike, rritja e detyrueshme e kostos së punës nuk është debat në studio, por llogari mujore: ose rrit çmimet dhe rrezikon me humb klientë, ose shtyhet drejt rrugëve të informalitetit, një pjesë e pagës në dorë, punë pa kontratë.
Kjo nuk do të thotë se duhet të pajtohemi me paga të ulëta. Përkundrazi. Por paga minimale, vetë në vete, nuk është strategji zhvillimi. Është vetëm një vegël. Nëse duam paga realisht më të larta, duhet së pari të flasim për produktivitetin: sa vlerë krijon një orë punë në Kosovë?
Rritja e pagave është e domosdoshme, por duhet me u mbështet në ekonomi që prodhon më shumë dhe më mirë, jo vetëm në spot politik. E ekonomia që prodhon s’vjen prej fjalimeve e premtimeve, por prej investimeve në teknologji, angazhimeve serioze dhe mbështetjes për prodhuesit vendorë, prej uljes së kostos së energjisë dhe prej një shteti që nuk u rri mbi kry bizneseve veç me inspektorë e tatime, por i ndihmon me financim e përkrahje.
Rritja e pagës minimale nuk është status a video elektorale, por vendim që prek tregun e punës për vite. 500-shi i pagës minimale, kur përdoret veç si slogan pa plan mbrapa, bëhet numër bosh, bëhet “shenjues i zbrazët”, një premtim që tingëllon si drejtësi, por nuk mbulohet me ekonomi. Sa herë politika e redukton ekonominë në një slogan apo numër të vetëm, dikush tjetër e paguan faturën në terren.
Prandaj, ky vendim kërkon dialog të vërtetë me ata që i paguajnë rrogat dhe ata që i marrin ato, dhe analiza të hapura: sa biznese mund ta përballojnë, cilët sektorë janë më të rrezikuar, çfarë mase shtesë duhet për t’i mbrojtur ata më të dobëtit në këtë zinxhir.
Nëse duam seriozisht me fol për një model të ri ekonomik, rritja e pagave duhet të jetë pasojë e prodhimit, investimeve dhe eksportit, jo zëvendësim për to. Vlera ekonomike nuk krijohet me urdhër. Nëse luan vetëm me letrën e pagës minimale, e nuk e kupton si e prek ekonominë dhe krejt sektorin privat, nuk po u hap rrugë njerëzve, veç po i shtyn me dalë prej vendit ose në informalitet. Dhe kur ta kuptojmë si shoqëri që “mesi” është zbrazur dhe ekspertët kanë dalë jashtë loje, faturën nuk do ta paguajë vetëm një qeveri, por e gjithë shoqëria.