Qytetarë të shumtë me të mësuar lajmin për arritjen e Hashim Thaçit në Kosovë për të vizituar babanë e sëmurë, u mblodhën në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Thaçi edhe tek hynte në QKUK, edhe teksa dilte pas përfundimit të vizitës babait të tij, u përshëndet me duartrokitje. U dëgjuan edhe brohoritje “Thaçi Thaçi… ” dhe “UÇK, UÇK”.
Një bashkëluftëtar i ish-presidentit tha se dëshira e tij më e madhe ishte ta takonte personalisht Thaçin.
“Jo nuk kishte mundësi të bisedohet, vetëm ta shoh si të gjithë të tjerët. Nuk e kam ditur më herët, kam dëgjuar që vjen nga njerëzit dhe kam ardhur. Gjendja (e babait të Hashim Thaçit) është e rëndë”, tha Demë Bytyqi.
Rektori i Universitetit të Ferizajt, Agron Bajraktari, tha se sapo e mori lajmin për arritjen e Thaçit, shkoi në QKUK. Tha se e ka vizituar edhe në Hagë.
“Sapo mora vesh nga lajmet që presidenti Thaçi do të jetë këtu menjëherë kam marrë rrugën dhe kam ardhur këtu. Presidentin Thaçi gjithmonë është ndjenjë e jashtëzakonshme kur e sheh, kur e dëgjon duke folur dhe në veçanti për gjitha atë që ka bërë për vendin. Më kishte marrë malli… Unë jam një nga ata që vizitoj zotin Thaçi, Kadri Veselin dhe të tjerët”.
“Vazhdimisht marr pjesë edhe në gjyqin e tyre dhe kjo është më e vogla që mund të bëhet, duhet të bëjmë shumë më shumë për ta. Ata nuk do duhet të jenë atje, ata duhet të jenë këtu, ata do të jenë këtu, ata me shpirt e zemër janë me ne. Gjykata do të bëjë punën e saj… Do të kthehen fitimtarë, do të kthehen çlirimtarët, ashtu siç e kanë bërë historinë. Jam shumë i bindur se do të kthehen këtë vit. Shumë shpejt. Ata e meritojnë të kthehen këtu”, tha rektori Bajraktari.


