Qytetarët ankohen për dyfishimin e tatimit në pronë – Njëri tregon se nga 460 euro, këtë vit paguajti 952 euro

Prishtinë | 24 Jan 2023 | 14:21 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qytetarët e intervistuar nga Ekonomia Online janë ankuar se rritja e tatimit në pronë është goditje e rëndë për buxhetin e shumicës së familjeve, në këtë kohë të shtrenjtimeve dhe krizës së rëndë ekonomike.

Disa nga qytetarët, me të cilët bisedoi EO, pasi kishin paguar tatimin në pronë në sportelet e ndërtesës së re të Komunës në Arbëri, thanë se kanë vërejtur se ka dyfishim të faturës, e në disa raste shtrenjtim edhe mbi 150 për qind, krahasuar me vitin e kaluar.

Shkumbin Pllana tregoi se për vitin 2022 kishte paguar 460 euro faturën e tatimit në pronë, ndërsa për 2023-ën u detyrua të paguajë më shumë se dyfish.

Ai tha se për pronën e njëjte paguajti 952 euro.

“Po unë isha për ta marr faturën për tatim për shtëpinë time, e kishin rritur njëqind për qind. Tash arsyen pse nuk e di, se paraprakisht nuk kemi qenë të informuar fare për rritje. Rritje për njëqind për qind. Njerëzve ju ka ra si shok. 460 kam paguar vitin e kaluar, tash më ka ardhur 952 euro”.

“E vështirë është edhe me këto ndryshimet negative që kanë ndodhe në krejt botën, jo veç tek ne”, deklaroi ky qytetar.

Ramadan Murati nga Prishtina, thotë se sot kishte paguar tatimin dhe sipas tij pagesa këtë vit ishte rritur më shumë se njëqind për qind.

“Po është shtrenjtuar shumë, më shumë se qind për qind. Është barrë tepër e rëndë, por obligimi duhet që të kryhet”, tha ai.

“Na e vështirëson boll valla”, u shpreh ai, i pyetur se a ua rëndon buxhetin ky shtrenjtim i paparalajmëruar.

Rritjen e tatimit në pronë e ka vërejtur edhe mërgimtari, Ilir Ajeti. Thotë se Kosova çdo ditë përballet me rritje të çmimeve.

“Unë jetojë në Evropë, por jemi duke e përcjellë këtu dhe jemi duke parë që asgjë nuk është duke shkuar në rregull. Çmimet po rriten, tatimet janë duke u rritur. Punë nuk ka. Rinia janë duke ikur të gjithë, të gjithë kemi ikur për shkak të papunësisë”, thotë Ajeti.

Ndërsa për Idriz Ajetin, çdo rritje e çmimeve e vështirëson jetën e qytetarëve. Ai thotë se pagat e pensionet kanë mbetur të njëjta.

“Çfarëdo rritje që pason e vështirëson në masë të konsiderueshme jetën e qytetarëve. Po ia dalim, por me vështirësi pak a shumë. Sigurisht është kohë shumë e vështirë, e paqëndrueshme ekonomike. Ka ndodhur si një termet në tregun edhe global, por edhe në atë kosovar, ndërsa pagat, pensionet, ndihmat sociale e të tjerat nuk kanë pësuar asnjë ndryshim dhe natyrisht se ka vështirësi tek qytetarët”, theksoi Ajeti, me të cilin EO bisedo në sheshin e Prishtinës.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, përmes një postimi ka deklaruar se shtrenjtimin e bazës tatimore nuk e ka bërë Komuna, por Ministria e Financave ka bërë rivlerësim të pronave.

“Norma e tatimit është e njëjtë, por Ministria e Financave ka bërë rivlerësim të pronave dhe i ka vlerësuar më lart! Andaj, dhe do të pagujmë më shumë. As ne si Komunë nuk jemi njoftuar mirë për këtë punë!” – ka shkruar Zogaj në rrjetin social “Twitter”.

Të ngjashme