Qytetarët i shohin zgjedhjet si një mundësi për ndryshim dhe kthesë pozitive për Kosovën

Prishtinë | 15 Jan 2025 | 08:39 | Nga Ekonomia Online

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë më 9 shkurt 2025, qytetarët shprehin shpresat dhe pritshmëritë e tyre për një të ardhme më të mirë. Ata presin përmirësime në ekonomi, punësim dhe ndihmë për rininë, raporton Ekonomia Online.

Qytetarja Synavere Llampaj thotë se edhe pse vitet e kaluara nuk kanë qenë të këqija, ajo beson se me qeverisjen e ardhshme do të përmirësohen mundësitë për punësim, sidomos për rininë.

“Presim shumë të mira me punësim më shumë, normal që për zgjedhje duhet me bë gjithçka dhe me fituar më i miri. Këto katër vitet e kaluara nuk mund të them që ka qenë keq mirë ka qenë. Sepse e kanë lënë thuajse në zero kur ka ardhur ky, por po presim edhe këto katër vite të tjera edhe më mirë. Ato që ka thënë Kurti i ka përmbushur të gjitha ma merr mendja që edhe këto katër vite të tjera do t’i përmbush. Unë jam e pa punë i kam bërë disa vite, por për rininë do të jetë më mirë sepse gjithmonë rinia ka dal jashtë nuk është hera e parë që po dalin, por ku ta gjejnë më mirë shkojnë. Por mendoj që do të bëhet më mirë për qytetarët”, ka deklaruar Llampaj.

Nga ana tjetër, qytetari Mirsad Krasniqi ka shprehur mbështetje të fortë për qeverinë aktuale, duke theksuar se zhvillimi i ushtrisë dhe policisë është thelbësor për të ndërtuar një shtet të fortë.

 “Pres fitoren e qeverisë së tanishme, ka pasur shumë sukses dhe është më i miri, nuk ka më të mirë. Nuk e kam parë edhe shumë fushatën por prej partive ka aq shumë fyerje. Pres përmirësime të gjithanshme, e di që i kanë akuzuar që nuk ka bërë në ekonomi, por më rëndësi është shteti ta bëjmë të fortë ushtrinë, policinë, ekonomia vij vetvetiu”, ka theksuar Krasniqi për Ekonomia Online.

Një qytetar, i cili ka preferuar të mbetet anonim, ka theksuar se zgjedhjet janë një mundësi e madhe për ndryshim dhe se fitorja e qeverisjes se tanishme do të sillte një kthesë pozitive për Kosovën.

“Prej zgjedhjeve pres me fituar Albini, populli me fituar e Kosova, përndryshe nuk fitoj Albini vaj halli për ne. Këta 20 vjet asgjë nuk kanë bërë. I kanë formuar 58 mini shtete serbe, kanë shkatërruar 1733 ndërmarrje industriale e ka shkatërruar gjysmën e tokës për biznese. Nuk pres menjëherë me bë diçka Kurti sepse i duhet 40 vite për me ndërtuar vendin. Duhet me shkuar gjatë shtëpinë mundesh me prish për një ditë e më ndërtuar një vjet”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Ndryshe, Zgjedhjet Parlamentare të Kosovës, do të mbahen me 9 shkurt 2025, kurse fushata për partitë politike ka filluar të shtunën me 11 janar.

Të ngjashme