Vetëm në muajin prill, institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës, kanë gjithsej pesë ditë pushimi për shkak të festave zyrtare. Por jo gjithë qytetarët i gëzohen vendimit që për festat të cilat bien në fundjavë, të jetë pushim gjatë ditëve të punës. Ata thonë së vendimi duhet të vlejë edhe për sektorin privat, raporton Ekonomia Online.
Vetëm në muajin prill janë tri festa zyrtare gjatë vikendeve, por që të hënave ishte ditë pushimi.
Qytetari Sevdaim Zymeri tha për Ekonomia Online se të drejtat duhet të jenë të barabarta për të gjithë dhe se sipas tij gabimi më i madh është se shumica po detyrohen të punojnë edhe për festën e Fitës Bajramit.
“Është shumë gabim se edhe sektori privat e meritojnë me pushu. Duhet të kemi të punojmë të gjithë sepse të gjithë duhet ti kemi të drejtat e barabarta. Për Festa të bajramit na jemi në punë dhe këta që janë në punë të shtetit nuk punojnë. Edhe unë kam qejf me festu me familje temë dhe me shoqëri”, tha ai.
Ndërsa Endrit Ferati tha se nuk ndihet aspak mirë kur prindërit e tij gjatë festave zyrtare pushojnë dhe ai ndodhet në punë.
“Mua personalisht dy prindërit me punojnë në punë të shtetit edhe sa herë ka ndonjë festë ata pushojnë. Edhe normal kur je ti privat dhe e sheh që ata po pushojnë nuk më vjen mirë. Po të kishin qenë rregullat e njëjta si për sektorin privat ashtu edhe publik ishte pranuar shumë mirë prej sektorit privat”, tha ai.
Kurse qytetarja Mimoza Shala e konsideron se për të dy sektorët duhet të konsiderojnë si rregull të njëjtë kalendarin e festave zyrtare por mbetet me shpresën se një ditë do të rregullohet.
“Normalisht është padrejtësi mbase të gjithë jemi punëtorë , duhet me vlejte një rregull e njëjte si për sektorin publik ashtu edhe për sektorin privat, mirëpo shpresojmë që në të ardhmen kjo ka me u rregullu dhe me u dit që festat zyrtare me qenë për të gjithë”, tha ajo
E Eglantina Maliqi e cilëson se ” po vendosin këta të naltit” se s’ka cka thuhet më shumë.
“Nuk është e mirë. Si vlerësim prej meje është keq ama tash po vendosin “këta të naltit” dhe ne nuk kemi çfarë të themi më shumë”, tha ajo.
Rinor Dobra së bashku me vëllain e tij po punojnë edhe për festën e Bajramit dhe këtë e konsideron si një padrejtësi shumë e madhe.
“Është shumë e padrejtë se edhe unë dhe vëllai im për Bajram kemi me punuar dhe po jetojmë në Kosovë, e dimë krejt se qysh shkojnë senet këtu”, tha Dobra.