Qytetarët kritikojnë MKRS-në për prerjen e pishës shumëvjeçare te Teatri Kombëtar – Komuna paralajmëron kallëzim penal

Prishtinë | 15 Nën 2024 | 14:42 | Nga Diellza Gashi

Vendimi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për prerjen e pishës shumëvjeçare afër Teatrit Kombëtar, është kritikuar nga qytetarët e intervistuar nga Ekonomia Online, ndërsa nga Komuna e Prishtinës kanë akuzuar MKRS-në se vendimi është marrë pa lejen e tyre.

Disa thonë se vendimi i tillë është i dëmshëm, teksa kërkojnë të ketë edhe më shumë gjelbërim në Kryeqytet.

Qytetari Riza Krasniqi, e quan të gabuar prerjen e pishës shumëvjeçare, ndërsa thekson se shkatërrimi i ekosistemit ndodh vetëm në Kosovë.

“Ky është një gabim shumë vjeçare, prerja e drurëve kjo vetëm tek ne ndodh. Si duket këta nuk kanë ndonjë punë tjetër këta të ‘Hortikulturës’, këta horrat me shkatërrua gjelbërimin. E gjithë bota lufton me pasur sa më shumë gjelbërim tek ne shkojnë çdo vit sa fillojnë me u rrit drunjtë i shkurtojnë, i cungojnë dhe jemi një qytet pa gjelbërim dhe pa oksigjen vetëm beton. A ka pamje më e shëmtuar se mos me pasur gjelbërim, as në Afrikë nuk është kjo gjendje e mjerë, kjo mentalitet. Këta drunjë sapo patën filluar të rriten filluan me i masakruar dhe atë në pranverë kur kanë filluar të qesin gjethet, kjo është absurde, jemi pa edukatë pa kulturë, pa ndërgjegje gjithçka vetëm njerëzillëk nuk ka këtu”, ka deklaruar Krasniqi.

Të njëjtën mendim ndanë edhe qytetari Sylejman Muqiqi, i cili konsideron se prerja e pishës shumëvjeçare është shumë e dëmshme dhe nuk duhet të bëhet.

“Drunjtë nuk duhet të priten, druri duhet të jetë sepse e pastron ajrin është shumë dëm i madh prerja. Ky vendim nuk është i mirë me heq barin, lulet e pemët, ajo është shumë keq. Ajri ashtu është i ndotur këtu edhe me i heq pemët atëherë ku po mbesim. Ka analfabetë që nuk e dinë atë punë shumë e dinë ata pse e kanë marrë atë vendim”, u shpreh Muqiqi.

Sipas qytetarit Behxhet Reka, ky vendim nuk është shenjë e mirë, madje shtoi se, kryeqyteti duhet të ketë më shumë gjelbërim.

“Nuk është shenjë e mirë sa do ku do drurët duhet të jenë, që të kenë më shumë gjelbërim, është puna e Qeverisë, pemët nuk e ndotin ajrin vetëm e pastron ajrin”, ka thënë Reka.

Për këtë, ka reaguar edhe Komuna e Prishtinës, e cila ka dënuar ashpër prerjen e pishë shumëvjeçare afër Teatrit Kombëtar të Kosovës, teksa akuzojnë MKRS-në se vendimi është marrë pa lejen e Kryeqytetit.

Në një intervistë për Ekonomia Online, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Donat Lushaku ka thënë se Ministria e Kulturës ka vepruar në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa marrë asnjë ekspertizë paraprake.

“Operatorët ekonomik i cili ka fituar tenderin tek Ministria e Kulturës që njëkohësisht investitor është po kjo ministri, i ka larguar dje një pishë shumë vjeçare dhe të shëndosh nga pjesa rreth Teatrit Kombëtar dhe e njëjta nuk ka marr as leje as të paktën nuk ka marr mundimin me diskutuar dhe vendos në njohje komunën për këtë çështje dhe ka vepruar në krye në vete, dhe e ka larguar atë pishë shumë vjeçare të shëndosh pa dhënë asnjë sqarim në mënyrë shumë brutale dhe jo profesionale, nga një operator ekonomik i cili sigurisht se nga komuna do të dënohet nga inspektorati sipas rregullores së paraparë dhe do të shohim me ministrinë si do të operohet sepse do të kemi veprim tjetër procedural sepse as nuk ka marrë leje as diskutuar”, ka thënë Lushaku.

Madje shtoi se për këtë vendim, MKRS-ja duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e marra, në të kundërtën Komuna e Prishtinës do të dorëzoj kallëzim penal për dëmet e shkaktuara ndaj Kryeqytetit.  

“Dënohet ashpër sepse duhet të ruhet ambienti, ne po tentojmë që të shtojmë hapësirat e gjelbra nga ana tjetër ato po largohet dhunshëm dhe pa leje nga ministria. Dëmi është shkaktuar dhe nuk mund të riparohet dhe masat nga komuna do të jetë dënimi fillimisht dhe në raport me ministrin një kallëzim penal për çështjes të prishjes së mjedisit të gjelbër”, theksoi ai.

Të ngjashme