‘’Kosova s’mund të marrë frymë’’, ‘’Jo racizmit’’ e ‘’Po Kosovës’’ ishin disa prej thirrjeve që një grup i vogël qytetarësh i shpalosi gjatë të premtes para dyerve të Zyrës së BE-së në Prishtinë.
Përmes simbolikës së gjunjëzimit përfaqësuesi i këtij grupi, Ndriqim Çekaj, tha se qëllimi i kryesor i tyre është që të tregojnë se Kosovës po i bëhet padrejtësi.
Ndërkohë theks të veçantë, sipas tij, duhet t’u vihet premtimeve të shumta që përfaqësues evropianë kanë dhënë për liberalizimin e vizave në takimet me politikanët kosovarë, raporton KOHA.
Ai ka thënë se BE-ja ia ka mbyllur padrejtësisht dyert një vendi si Kosova, derisa shprehet se po bëhet pak edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai e ka quajtur racizëm diskriminimin që po u bëhet kosovarëve, por ka shtuar se faj jo të vogël kanë edhe institucionet vendore.
Ky grup nuk e ka përjashtuar mundësinë e aksioneve të ngjashme simbolike para dyerve të ambasadave që veprojnë në Kosovë.