Disa qytetarë kanë mendime të ndryshme sa i përket vlerës së koeficientit të Ligjit të Pagave. Disa mendojnë si të mjaftueshëm, e disa e shohin si të pamjaftueshëm, raporton Ekonomia Online.
Të intervistuar nga Ekonomia Online, qytetarët shprehen se përkundër gjendjes së rëndë ekonomike, vlera e koeficientit prej 105 euro është e mjaftueshme. Ndërsa ka të atillë që kërkojnë rritje edhe të pensioneve dhe pagës minimale.
Bahtir Gashi, thotë se vlera e koeficientit është i mjaftueshëm. Madje, kritikët e Qeverisë u kërkoi që mos të bëjnë propagandë.
“Mirë është koeficienti mos të lypin ekstra se nuk jemi Gjermani na nuk jemi prodhim gjerman as nuk kem sens as në qoftë se ky shkon është mirë. Është një vizion për të ardhmen ne kemi qejf me i pas kanë 2 mijë euro por fuqinë se kemi ekonomike as s’kemi asgjë. Mos të bëjmë propagandë me këtë send se Qeveria i ka këto punë jo parlamenti as partitë politike. Ata zgjedh ato e dinë sa e kanë fuqinë ekonomike, sa i kanë mjetet”, u shpreh ai.
Situatë të vështirë po e konsideron edhe Miftar Ahmeti. Thotë se nuk ka rritje pagash në sektorin publik e as privat, ndonëse për këtë të fundit nuk është fajtore Qeveria.
“As nuk ka rritje në rroga privat as në këtë publik kjo është një katastrofë për vendin kjo është një çudi e madhe çka po ndodh, Çfarë gjendje ka ardh popullata, mjetet mbahen të bllokuara, të ardhurat personale nuk rriten, pse bllokohen nuk e dimë duhet me sqarua këto mund të bllokohen veç me kanë gjendje lufte përndryshe mjetet që janë të bllokuara duhet të shpërndahen ato janë të popullit”, u shpreh ai.
Ndonëse punon në sektorin privat, Muhamet Tashevci e konsideron si të mjaftueshëm vlerën e koeficientit.
“Unë jam në sektorin privat se kam lexuar në tërësi, po unë besoj, që është shumë i mirë. Për vetë faktin që e ka miratu qeveria e jonë ai është shumë i mirë. S’ka aty dallimet që i ka pas 5200 euro një drejtor poste e kryeministri 1700 a sa, apo një vend përgjegjës që ka me të vërtetë përgjegjësi ose mjeku ose ai tjetri. Kjo i kanë neglizhuar por janë shkuar vetëm në bazë të kërkesave personale, kjo është më se reale”, u shpreh ai.
Ndërsa Gazmend Koqeli, kërkoi që të ketë rritje të pensioneve dhe ndihmave sociale.
“Albini, me 100 euro nuk mundesh me bë asgjë. Duhet me rrit ndihmat sociale, pensionet, e pleqërisë. Ne jem 8 anëtarë dhe nuk mundesh të bësh asgjë, se di se çfarë po bën kryeministri. Ai duhet me i bërë këto gjëra”, u shpreh ai.