Qytetarët mirëpresin premtimin e Vitisë për hyrjen në fuqi të ligjit të ri për barnat

Prishtinë | 13 Nën 2024 | 16:08 | Nga Furtuna Zejnullahu

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë ditës së sotme ka bërë të ditur se në fund të këtij muaji do të hyjë në fuqi Ligji për Produktet Medicinale.

Qytetarët thonë se deri më tani kanë pasur vështirësi që të furnizohen me barna, për shkak të çmimeve të larta të barnave dhe ndryshimeve të çmimeve sipas barnatoreve.

Për Ekonomia Online, qytetarët mirëpritën zbatimin e këtij ligji i cili bënë përcaktimin e njësuar të çmimeve të barnave, por ata apelojnë që ky premtim të mos jetë vetëm fjalim fushate, por të realizohet.

Me vështirësi po ia del të sigurojë barnat qytetari Hilmi Rrahmani, kështu tha për EO, sipas tij, ka dallime ne çmime nëpër barnatore.

“Me vështirësi, por po na ndihmon nga pak Ministria e Shëndetësisë edhe ne vet, barnatoret po kanë dallime, por edhe furnizimet (çmimet) nuk janë njëjtë, po duhet që të vrapojmë tek barnatoret diku më shtrenjtë e diku më lirë. Është folur shpresoj që të realizohet këtë vit, para vitit të ri”, tha qytetari Rrahmani.

Propozim të mirë po e sheh edhe Gani Krasniqi, sipas qytetarit me këto dallime në çmime është vështirë e përballueshme jetesa në Kosovë.

“Është propozim shumë i mirë, sepse shumë barna po kanë çmime të ndryshme, kushtet tona siç janë në Kosovë është vështirë të përballohen. Është mirë që çdo kund ku hynë në barnatore të jenë çmimet e njëjta e mos të vrapojmë prej një barnatore në tjetrën. Besoj që do të rregullohen, për shkak të zgjedhjeve nguten pak flasin më shumë se sa që kryejnë punë”, tha Krasniqi

Ndërsa, qytetari Valdet Ballabani tha se do të kishte qenë ideale që të ekzistojë çmimorja dhe qytetarët të mos mashtrohen më.

“Do të kishte me qenë rregull që të mos shkohet prej barnatores në një tjetër me pyet se sa kushton, kishte me qenë ideale që të ekzistojë çmimorja, ndoshta edhe e shtypur edhe prej ministrisë që mos të ndryshohet çmimi. Nuk është e përballueshme varet prej gjendjes financiare, por do të kishte qenë mirë për barna që janë esenciale dhe jetike”, tha Ballabani.

Të ngjashme