Qytetarët e Tuzit, kryesisht shqiptarë, kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar një masë të marrë nga Qeveria e Malit të Zi për t’i kufizuar disa aktivitete për ta parandaluar përphapjen e koronavirusit.
Baret, restorantet dhe bizneset e tjera u hapën sërish gjatë së enjtes, gjë e cila nxiti një reagim të ashpër. Qeveria dërgoi forca të shumta policie në qytetin me shumicë shqiptare, për të vënë në zbatim kufizimet e reja. Por kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj, bashkë me një numër të madh banorësh protestuan duke bllokuar rrugën kryesore që lidh Podgoricën me Shkodrën.
Gjeloshaj u tha oficerëve të policisë që ta informojnë prokurorinë se, “nëse kjo vazhdon, do t’u bëjë thirrje qytetarëve të Tuzit që të ofrojnë rezistencë”.
“Ky vendim është personal, si hakmarrje për vendosjen e flamujve të Kosovës. Asnjë komunë nga grupi i parë nuk është mbyllur, vetëm ne jemi ndarë nga grupi i parë. Armiqtë janë ata që po hakmerren, përkatësisht kreyministri Zdravko Krivokapiq dhe zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq”, tha Gjeloshaj për mediumin malazez, TV Vijesti.
Më pas, në Facebook ai ka shkruar se ka marrë një mesazh nga zëvendëskryeministri Abazoviq pas tentativës dyditore për të komunikuar me Qeverinë malazeze. Gjeloshaj shtoi se e ka ftuar atë të vijë në Tuz për ta mbajtur një takim.
“Sapo pranova një mesazh me shkrim të zëvendëskryeministrit Abazoviq pas një tentative dy ditore për të rënë në kontakt me Qeverinë e Malit të Zi, të cilit iu përgjigja me ftesë dhe e ftova për takim në Komunën e Tuzit për të diskutuar mundësisë e zgjidhjes së problemeve. Po e presim!”, shkroi Gjeloshaj.
Një orë më vonë, ai tha se është telefonuar edhe nga kryeministri i Malit të Zi. Krivokapiq, ndërsa tha se u morën vesh të takoheshin në orën 14:00 në objektin e Komunës së Tuzit.
“Më në fund mora një telefonatë nga Kryeministri i Malit të Zi, Z. Krivokapiq dhe organizuam një takim në ora 14:00 në objektin e Komunës së Tuzit! Ai më kërkoi që të mbahet mbledhje në Qeverinë e Malit të Zi, megjithatë si përfaqësues i popullit dhe duke e ditur se qytetarët janë mbledhur, do të vijnë për marrëveshje në Tuz”, shkroi Gjeloshaj.